RAJONI
2 minuta leximi
Situata e zjarreve në Shqipëri: 13 vatra, 10 ende aktive
Ministria e Mbrojtjes raportoi se aktualisht ka 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 janë aktive dhe 3 janë nën monitorim të vazhdueshëm.
Situata e zjarreve në Shqipëri: 13 vatra, 10 ende aktive
Situata e zjarreve në Shqipëri: 13 vatra, 10 ende aktive / Ministria e Mbrojtes e Shqipërisë / FB
16 Gusht 2025

Situata e zjarreve në Shqipëri paraqitet më e stabilizuar në shumë zona problematike pas një angazhimi të gjerë të forcave të emergjencës. 

Ministria e Mbrojtjes raportoi se aktualisht ka 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 janë aktive dhe 3 janë nën monitorim të vazhdueshëm.

Në bashkinë Tiranë, disa vatra zjarri janë vendosur nën kontroll në zonat e Bërzhitës, Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj. Në Pezë-Helmës, vatra ka marrë përmasa të mëdha dhe rrezikon pyllin me pisha të dendura, ndërsa 42 forca të MZSh-së, të mbështetura nga forca bashkiake, vullnetarë dhe Policia e Shtetit, operojnë në terren me ndihmën e një helikopteri të EBA-së.

Po në bashkinë Tiranë, në Malin e Bërzhitës, fshati Ibë, zjarri i rënë më 10.08.2025 ka kaluar në fshatin Durisht. Në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSh-së Tiranë, 5 forca të APR-së dhe forca policore. Vatra është vendosur nën kontroll, por terreni mbetet sfidues.

Në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, zjarri vazhdon në kurorë me pyje të dendura, duke u përhapur nga qafa e malit drejt qytetit të Vjetër Bulqizë. Në terren janë angazhuar 8 efektivë të MZSh Bulqizë, 7 forca bashkiake, 8 forca pyjore dhe 30 forca ushtarake të FA-së. Prezenca e tymit mbetet e lartë dhe intensiteti i flakëve i fortë, por banesat nuk rrezikohen. Një helikopter i Forcës Ajrore po asiston në operacion.

Në bashkinë Fushë-Arrëz, në fshatin Xeth, zjarri është aktivizuar në tre vatra të ndara, me operacione të koordinuara nga zjarrfikës, policia, forcat bashkiake dhe ushtarake. Në zonën Kunorë Dardhës, flakët kanë arritur sipërfaqe me pisha të dendura.

Në bashkinë Mirditë, fshati Velë, zjarri vazhdon në një masiv me pisha, ndërsa terreni i vështirë e bën ndërhyrjen tokësore sfiduese.

Në bashkinë Kolonjë, Parku Natyror Gërmenj, zjarri është neutralizuar, por riaktivizime të vogla janë eliminuar menjëherë. Ndërsa në Gramsh dhe Elbasan, disa vatra të vogla vazhdojnë të aktivizohen, ndërsa forcat e emergjencës monitorojnë situatën dhe ndërhyjnë në terren.

Banorët dhe forcat lokale bashkëpunojnë me zjarrfikësit dhe efektivët e MZSh-së për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur komunitetet.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us