Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar 50 autoblinda nga SHBA-ja, ka bërë të ditur ambasada e ShBA-së në Kosovë.
Ambasada e ShBA-së në Kosovë njoftoi se FSK-ja do t’i përdorë autoblindat në kapacitet të plotë operacional.
“Kosova duke përdorur burimet e saj mbrojtëse, do t’i fusë këto autoblinda në kapacitet të plotë veprues, duke shënuar një hap tjetër në angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e kapacitetit mbrojtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe forcimin e sigurisë së dy vendeve tona”, ka shkruar në njoftim Ambasada.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky furnizim i autoblindave të prokuruara në ShBA për FSK-në është dëshmi e partneritetit të Kosovës me ShBA-në dhe hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së ShBA-së”, tha ai.
Kurti në ceremoninë e pranim-dorëzimit të këtyre autblindave në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, mori pjesë bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe atasheun e Ushtrisë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw.