RAJONI
2 minuta leximi
Ujëvarat e Mirushës, amfiteatri natyror që po i reziston thatësirës
Kanionet e thella, ngjyrat e gurëve të skalitura nga koha dhe shtrati gjysmë i thatë krijojnë atmosferë të qetë dhe mahnitëse, si një amfiteatër natyror.
Ujëvarat e Mirushës, amfiteatri natyror që po i reziston thatësirës
Ujëvarat e Mirushës, amfiteatri natyror që po i reziston thatësirës / AA
18 orë më parë

I nxehti rekord dhe thatësirat ekstreme të këtij viti në Kosovë kanë lënë pa rrjedhi uji Ujëvarat e Mirushës që shtrihen në pjesën qendrore të vendit, përkatësisht në anën lindore të Rrafshit të Dukagjinit. 

Pavarësisht kësaj, relievi shkëmbor i ujëvarave mahnit me madhështinë natyrore.

Kanionet e thella, ngjyrat e gurëve të skalitura nga koha dhe shtrati gjysmë i thatë krijojnë atmosferë të qetë dhe mahnitëse, si një amfiteatër natyror.

Kanionet ku rrjedh lumi Mirusha, i cili me kalimin e kohës ka krijuar një seri liqenesh të lidhura me njëra-tjetrën përmes ujërave të larta që shkojnë deri në 21 metra, ka krijuar fenomenin morfo-hidrologjik që i bënë atraktiv kanionet për turizëm dhe freskim gjatë verës.

Janë gjithsej 12 ujëvara me radhë që lidhen me njëra-tjetrën dhe të cilat ndryshojnë për nga forma dhe madhësia në bazë të pozicionit, me ç'rast, liqeni i fundit, ose ai që është më poshtë për nga lartësia mbidetare, është më i gjeri.

Pikërisht tek ky liqen janë ngritur edhe disa restorante të vogla dhe kamp-shtëpiza nga qytetarë të vendit dhe të huaj, për shkak se edhe është më lehtë i qasshëm për automjete dhe këmbësorë. Ky liqen ka thellësi mbi 5 metër dhe një gjerësi rreth 50 metërshe.

Turistë nga Arabia Saudite, Gjermania, Franca dhe vende tjera evropiane, janë bërë vitet e fundit frekuentues të rregullt të Ujëvarave të Mirushës.

Art Limani, i cili erdhi nga qyteti i Prizrenit për herë të dytë tek Ujëvarat e Mirushës, thotë për Anadolu se këtë herë nuk u ndje dhe aq mirë kur pa që ujëvarat kishin ndalur rrjedhën.

"Kësaj here kur erdha u befasove që nuk ka rrjedhë të ujit në ujëvarë ngase siç e kuptova kjo ka ndodhur për shkak të thatësisë. U dëshpërova pak, mirëpo ç'të bëjmë", thotë qytetari nga Prizreni i cili shton se më shumë preferon që thjesht të freskohet në këtë vend pa u futur në ujë për t'u larë.

Edhe Vedat Hyseni nga qyteti i Vushtrrisë, i cili jeton në Gjermani, erdhi me familje tek ujëvarat. Hyseni madje bëri edhe xhiro me varkën e gomës në liqenin më të madh të ujëvarave.

"Vendi është shumë i bukur, mirëpo pak problem me mungesë të rrjedhës së ujit. Kam ardhur me familje dhe kjo është hera e dytë për mua këtu", thotë ai.

Gjithë Ujëvarat e Mirushës shtrihen në një sipërfaqe prej 598 hektarësh.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us