RAJONI
3 minuta leximi
Shuhen 27 vatra zjarri në Shqipëri, pesë mbeten ende aktive dhe dy nën monitorim
Sipas Ministrisë, në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 690 forca operacionale, të mbështetura nga 110 trupa të Forcave të Armatosura me dy mjete zjarrfikëse.
Shuhen 27 vatra zjarri në Shqipëri, pesë mbeten ende aktive dhe dy nën monitorim
Shuhen 27 vatra zjarri në Shqipëri, pesë mbeten ende aktive dhe dy nën monitorim / Ministria e Mbrojtes e Shqipërisë / FB
17 Gusht 2025

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë bëri të ditur sot se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë shuar, pesë mbeten aktive dhe dy mbahen nën monitorim.

Sipas Ministrisë, në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 690 forca operacionale, të mbështetura nga 110 trupa të Forcave të Armatosura me dy mjete zjarrfikëse. Përveç kësaj, janë përdorur dy helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare dhe një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vatrat aktive kryesore janë regjistruar në:

Fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë: Zjarri ka vijuar në kurorë me pyje të dendura. Disa vatra janë vënë nën kontroll me ndërhyrje nga toka dhe ajri, por mbeten problematike vatra në “Maja e Shkëmbit” dhe drejt fshatrave Valikardhë dhe Peladhi. 

Për ndërhyrje u angazhuan tetë efektivë të MZSh-së, tetë forca bashkiake, tetë forca të Shërbimit Pyjor, 30 trupa nga FA-ja dhe helikopteri i Forcës Ajrore. Intensiteti i flakëve është mesatar dhe brenda perimetrit të kontrolluar ditët e kaluara.

Fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, bashkia Fushë Arrëz: Zjarri ka përfshirë fshatrat Kulumri, Trun dhe Kunorë-Dardhë. 

Operacioni përfshiu 42 forca bashkiake, dy automjete zjarrfikëse, 80 trupa nga FA-ja dhe 20 vullnetarë. Ndërhyrjet ajrore u realizuan nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Situata u vendos nën kontroll gjatë natës dhe vatra mbahen nën monitorim.

Fshatin Pezë-Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë: Vatra është vazhdim i zjarrit të rënë në fshatin Damjan-Fortuzaj. 

Ndërhyrje nga ajri realizuar nga helikopter i Emirateve të Bashkuara Arabe ka ndihmuar në vendosjen nën kontroll. Intensiteti aktual është i ulët dhe situata mbikëqyret.

Fshatrat Kullollas, Kodovjat, Ermenj, njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh: Punë për shuarjen e vatrave të vogla për të parandaluar përhapjen e flakëve. Aktiv mbetet një vatër në Malin e Koshnicës, monitoruar nga Shërbimi Pyjor dhe banorët lokalë. Riaktivizime të vogla gjatë ditës në Bletëz dhe Kullollas u shuan me ndërhyrje të shpejtë.

Teqen e Dushkut, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh: Vatra e zjarrit mbetet aktive. Operacioni përfshiu dy automjete zjarrfikëse me 10 efektivë, dy fadroma, katër forca bashkiake dhe katër vullnetarë. Shuarja është e vështirë për shkak të shtresave të humusit, por situata po afrohet drejt izolimit.

Fshatin Rreja e Zezë (Velë), njësia administrative Rubik, bashkia Mirditë: Zjarri i rënë më 14 gusht u shua pjesërisht nga punonjësit e MZSh-së, forcat policore, bashkiake dhe Shërbimi Pyjor, të mbështetur nga vullnetarë. Vatra është izoluar dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.

Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, bashkia Kolonjë: Zjarri vazhdon aktiv me intensitet mesatar. Shpërthime të municioneve të vjetra nga lufta italo-greke ndërprenë herë pas here operacionin. 

Të angazhuar ishin tre mjete zjarrfikëse, 13 efektivë MZSh, gjashtë forca policore, 17 forca bashkiake, shtatë AdZM, katër Shërbimi Pyjor dhe katër vullnetarë.

Vatrat e shuara: Val (Martanesh, Bulqizë), Kodër Qerre (Mat), Xeth (Blerim, Fushë Arrëz), Durishtë (Petrelë), Ferraj–Zall Herr–Brarë–Priskë e Vogël (Dajt), Gjipal (Zall Bastar), Vilë-Ballaj (Rrogozhinë), Kalanjas (Skrapar).

Ministria e Mbrojtjes thekson se forcat nga të gjitha strukturat e emergjencave mbeten në terren për të monitoruar dhe përballuar çdo riaktivizim të mundshëm të zjarreve.

BURIMI:ATA
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us