Në territorin e Maqedonisë së Veriut deri në mesditën e sotme janë regjistruar gjithsej pesë zjarre në hapësirë të hapur.
Qendra për Menaxhimin e Krizave njoftoi se nga pesë zjarret e regjistruara dy janë aktive, ndërsa tre janë shuar.
Zjarret aktive janë në Komunën e Brodit, në zonën Jasen, ku zjarri ka përfshirë pyll të përzier, si dhe në Jegunovcë ku zjarri ka përfshirë kullota dhe pyll të përzier midis fshatrave Rogaçevë dhe Jazhincë.
Tre zjarret që janë shuar përfshijnë një deponi mbeturinash në Komunën e Tetovës, një vegjetacion të ulët dhe livadhe në Vrapçisht, si dhe një vegjetacion të ulët dhe arë të djegur në fshatin Mateç.
Autoritetet e Qendrës për Menaxhimin e Krizave bëjnë apel për kujdes dhe respektim të masave parandaluese për parandalimin e zjarreve të reja.
Maqedonia e Veriut prej javësh po përballet me një valë të rrezikshme zjarresh, të nxitura nga temperaturat e larta, thatësia dhe erërat e forta. Dhjetëra vatra janë regjistruar në disa rajone të vendit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe rrezik për zonat e banuara.