LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Fidan: Plani i aneksimit të Bregut Perëndimor do të kthehet kundër Izraelit
Kryediplomati turk, Hakan Fidan, paralajmëron se ky veprim minon zgjidhjen me dy shtete, duke theksuar se nuk do t’u shërbejë interesave afatgjata të Izraelit.
Fidan: Plani i aneksimit të Bregut Perëndimor do të kthehet kundër Izraelit
Fidan: Plani i aneksimit të Bregut Perëndimor do të kthehet kundër Izraelit / Reuters
26 Korrik 2025

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, paralajmëroi se plani i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për ta aneksuar Bregun Perëndimor do të minonte zgjidhjen me dy shtete dhe nuk do t’i shërbente interesave afatgjata të Izraelit.

Fidan tha se nuk pret që Netanyahu të hezitojë nëse kushtet përputhen me vizionin e tij për aneksimin e territorit të pushtuar.

“Nëse Netanyahu beson se kushtet janë të përshtatshme, sinqerisht nuk mendoj se do të hezitonte. Ai ka një mentalitet maksimalist,” tha ai në një intervistë për transmetuesin turk NTV të premten. “Por, kjo nuk do të sjellë përfitime për Izraelin në dekadat e ardhshme.”

Ministri i Jashtëm turk kritikoi veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza si një “tërbim i tërbuar” që është kthyer në shqetësim global. Ai tha se shumica e vendeve, përveç disa përjashtimeve, nuk qëndrojnë më hapur përkrah Izraelit përballë luftës gati dyvjeçare në Gaza.

Ai vuri në dukje një ndryshim ndërkombëtar në qëndrim, duke përmendur edhe mbështetjen e presidentit francez Emmanuel Macron për njohjen e shtetit palestinez. “Përveç politikanëve amerikanë, nuk shohim ndonjë përkrahje të hapur për mentalitetin aktual sionist në Izrael”. tha ai.

Sa u përket përpjekjeve për armëpushim, Fidan identifikoi tre pika të ndjeshme: kush do të shpërndajë ndihmat në Gaza, tërheqja e forcave tokësore izraelite dhe garancitë për vazhdimin e armëpushimit pas lirimit të pengjeve nga Hamasi.

Fidan theksoi se Izraeli po përpiqet ta bëjë Gazën të pabanueshme, jo vetëm përmes shkatërrimit fizik, por edhe përmes urisë.

“Zyrtarë të inteligjencës izraelite po udhëtojnë nga një vend në tjetrin, duke u përpjekur t’i bindin që të pranojnë një numër të madh refugjatësh palestinezë. Ky është një projekt për ta bërë Gazën ‘pa palestinezë’”, u shpreh ministri.

Lidhur me thirrjen e parlamentit izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor, e miratuar më 23 korrik, Fidan tha se kjo lëvizje minon drejtpërdrejt zgjidhjen me dy shtete.

“Po përpiqeni të shkatërroni diçka që të gjithë e pranojnë mbi bazën e kufijve të vitit 1967. Nëse nuk e pranoni një zgjidhje të negociuar me dy shtete tani, po i hapni vetes rreziqe të mëdha në të ardhmen”, përfundoi ai.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us