Shqipëria u përball me Serbinë në Stadiumin Arena Kombëtare në Tiranë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Ekipi shqiptar nuk arriti të shënonte gjatë 90 minutave lojë duke çuar në përfundimin e ndeshjes me rezultatin 0:0.
Kuqezinjtë nuk patën “fat” as në pjesën e parë e ndeshjes, ku mundësia e artë u shpërdorua nga lojtari Rey Manaj, gjuajtja e të cilit u prit nga portieri kundërshtar Petrovic.
Kjo është ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me kuqezinjtë që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë me tri pikë.
Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e sotme ishte debutuese për ta në këtë grup.
Grupi K kryesohet nga Anglia me 9 pikë pas 3 fitoreve, ndërsa Letonia është e treta me 3 pikë.
Pak minuta para fillimit të sfidës, u zbuluan formacionet zyrtare, me trajnerët që kanë zgjedhur titullarët e kësaj përballje.
Për këtë ndeshje, trajneri Silvinjo është detyruar të sakrifikojë katër lojtarë, pasi UEFA lejon vetëm 23 futbollistë. Në tribunë kanë përfunduar Mario Dajsinani, Adrian Bajrami, Adrion Pajaziti dhe Medon Berisha.
FORMACIONET ZYRTARE:
SHQIPËRIA: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Hoxha, Broja, Manaj.
SERBIA: Petrovic, Pavlovic, Milenkovic, Erakovic, Lukic, Maksimovic, Zivkovic, Terzic, Samardzic, Mitrovic, Vlahovic.
Në stadium ishin të pranishëm mijëra tifozë të Kombëtares së Shqipërisë, ndërkohë ekipi kuqezi u mbështetet nga mijëra tifozë të tjerë edhe jashtë stadiumit.
Ndërkaq, incidente të vogla u regjistruan gjatë ndeshjes, ndonëse Institucionet shqiptare angazhuan mijëra forca policore për të shmangur pakënaqësi që mund të penalizonin kombëtaren shqiptare.