Marina izraelite po përgatitet të ndërhyjë në anijen humanitare “Madleen” teksa ajo i afrohet ujërave të Gazës, me plane për ta detyruar të drejtohet drejt portit të Ashdodit, raportoi të dielën kanali izraelit Channel 12.
Izraeli synon të ndalojë anijen para se ajo të hyjë në ujërat territoriale të Gazës, duke përmendur zbatimin e bllokadës detare, sipas raportit të kanalit të lajmeve.
Aktivistët në bord do t’u dorëzohen autoriteteve izraelite për deportim, raporton po ashtu Channel 12.
Ndërkohë, ministri i mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka urdhëruar ushtrinë të parandalojë anijen të arrijë në Gaza.
Operacioni vjen pas premtimit të mëparshëm të Izraelit për të ndaluar anijen, duke u shqetësuar se ajo do të krijonte një precedent për përpjekjet e ardhshme për thyerjen e bllokadës.
Channel 12 raporton gjithashtu se për shkak të mbulimit të gjerë ndërkombëtar për anijen Madleen, çdo procedurë izraelite ndaj saj do të shpërndahet në rrjetet sociale.
Ndërsa anija afrohet në Gaza, Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Bllokadës së Gazës njoftoi të dielën se Izraeli po përpiqet të bllokojë vendndodhjen dhe sinjalin e anijes. “Duket se Izraeli po ndërpret sinjalin dhe vendndodhjen e kolegëve tanë në anijen Madleen”, tha komiteti.
“Kjo është serioze... Do t’ju mbajmë të informuar”, shtoi deklarata.
Komiteti publikoi gjithashtu një link elektronik për ndjekje të drejtpërdrejtë të anijes, duke inkurajuar njerëzit ta shpërndajnë “në të gjithë internetin.”
“Izraeli po përgatitet të kryejë një krim lufte në mes të ujërave ndërkombëtare,” theksohet gjithashtu në deklaratë.
Në bord të anijes ndodhen 12 aktivistë, përfshirë aktivisten suedeze për klimën Greta Thunberg dhe aktorin irlandez Liam Cunningham.
Javën e kaluar, transmetuesi shtetëror izraelit KAN raportoi se Tel Avivi kishte tërhequr vendimin e tij fillestar për lejimin e kalimit të anijes. Miratimi u tërhoq me pretendimin për “krijimin e një precedenti” për misionet e ardhshme humanitare.
Anija po transporton furnizime urgjente për popullin e Gazës, përfshirë formulë për foshnja, miell, oriz, pelena, produkte higjienike për gratë, pajisje për desalinim uji, material mjekësor, kambale dhe proteza për fëmijë, sipas organizatorëve të saj.
Një anije tjetër e Operuar nga Koalicioni Freedom Flotilla (Flota e Lirisë), “Conscience”, u sulmua nga dronë pranë bregut të Maltës më 2 maj.