BOTA
2 minuta leximi
Irani pretendon se ka siguruar një sasi të madhe dokumentesh të rëndësishme izraelite
Mediat shtetërore iraniane thonë se dokumentet përfshijnë mijëra skedarë për infrastrukturën bërthamore dhe ushtarake të Izraelit.
Irani pretendon se ka siguruar një sasi të madhe dokumentesh të rëndësishme izraelite
Irani pretendon se ka siguruar një sasi të madhe dokumentesh të rëndësishme izraelite / AA
7 Qershor 2025

Shërbimet iraniane të inteligjencës kanë siguruar një arkivë të madhe me dokumente shumë të rëndësishme strategjike që i përkasin Izraelit, përfshirë materiale që lidhen me objektet bërthamore dhe projektet ushtarake të vendit, raportoi të shtunën agjencia shtetërore iraniane IRNA.

Sipas IRNA-s, Teherani ka siguruar “një volum të madh dokumentesh strategjike me rëndësii të veçantë” që kanë lidhje me Izraelin. Mes tyre janë “mijëra dokumente që lidhen me objektet bërthamore izraelite dhe projekte që lidhen me pushtimin.”

Edhe pse nuk u bë e ditur se kur u siguruan saktësisht këto dokumente, raporti sugjeron se operacioni ndodhi disa kohë më parë, por u mbajt sekret për shkak të nevojës për transferim të sigurt të të dhënave në Iran.

“Përmasat e dokumenteve dhe sfidat logjistike për t’i zhvendosur të gjitha në vende të sigurta brenda Iranit kërkuan ruajtje të plotë të konfidencialitetit gjatë operacionit”, raportoi transmetuesi shtetëror.

Sipas raportit, e gjithë sasia e dokumenteve ka mbërritur tashmë në “lokacione të sigurta të caktuara” në Iran.

Volumi i informacionit është kaq i madh, sa që vetëm shqyrtimi i dokumenteve, përfshirë fotografitë dhe skedarët video shoqërues, do të kërkojë kohë të konsiderueshme.

Autoritetet iraniane nuk kanë sqaruar ende se si janë siguruar këto dokumente, nëse kanë rrjedhur në mënyrë digjitale apo janë marrë fizikisht, por lajmi pritet të rrisë më tej tensionet e larta midis Teheranit dhe Tel Avivit.

Izraeli nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj pretendimeve të Iranit.

Zbulimi vjen në një periudhë me përshkallëzime në rritje mes këtyre dy rivalëve historikë.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us