Ushtria izraelite të dielën vrau 10 palestinezë të tjerë, përfshirë fëmijë, gjatë sulmeve ndaj të zhvendosurve në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, në ditën e tretë të festës së Bajramit, një nga festat më të shenjta të Islamit.
Sipas radios lokale Al-Aqsa, sulmet izraelite ndaj shtëpive dhe tendave të të zhvendosurve në Khan Younis shkaktuan vdekjen e 10 palestinezëve, përfshirë fëmijë.
Ky është Bajrami i katërt për banorët e Gazës që nga tetori i vitit 2023, kur Izraeli nisi një luftë gjenocidale që ka vrarë afërsisht 54.800 palestinezë, ka krijuar kushte urie dhe ka bërë të pabanuar këtë enklavë.
UNRWA: Civilët në Gaza përballen me sulme të ashpra teksa kërkojnë ushqim në qendrat e ndihmave
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) raportoi se civilët që vuajnë nga uria në Gaza janë sulmuar rëndë nga forcat izraelite ndërsa kërkojnë ushqim në qendrat e shpërndarjes së ndihmave.
UNRWA përmendi në një deklaratë dëshminë e një palestinezi që ka mbijetuar një sulm ndaj një qendre shpërndarjeje në Rafah, e cila ishte ngritur nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga ShBA-ja dhe Izraeli, dhe që njihet si i kontestuar.
Në deklaratë theksohet se palestinezët që vuajnë nga uria, në kërkim të dëshpëruar për ushqim, janë duke u ekspozuar ndaj sulmeve intensive izraelite në këto qendra shpërndarjeje, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
Po ashtu, është theksuar se shumë prej tyre kthehen në shtëpi duar bosh pas mbijetesës nga sulmet.