Tajvani zhvilloi të dielën stërvitje të përbashkëta midis rojës bregdetare dhe forcave ushtarake për të praktikuar bashkëpunimin në përballje me atë që qeveria në Taipei e përshkruan si një kërcënim në rritje në “zonën gri” nga Kina, e cila pretendon ishullin si pjesë të territorit të saj.
Qeveria tajvaneze ka denoncuar disa herë veprime të tilla si prishja e kabllove nënujore dhe zhytja e rërës nga Kina rreth ishullit, të cilat synojnë të ushtrojnë presion pa shkaktuar përplasje direkte.
Zakonisht, rojet bregdetare të Tajvanit janë të parat që reagojnë ndaj këtyre incidenteve.
Gjatë ushtrimeve, roja bregdetare punoi së bashku me një helikopter shpëtimi nga ministria e brendshme dhe një helikopter mjekësor të ushtrisë për të hipur në një anije, për ta rikthyer kontrollin dhe për të evakuuar të plagosurit.
Një helikopter anti nëndetësesh i marinës fluturoi mbi zonën e stërvitjes në përfundim të saj, së bashku me helikopterët e shpëtimit dhe evakuimit mjekësor, hera e parë që ata fluturojnë së bashku në një skenar të tillë, tha roja bregdetare.
“Qëndrojmë përballë ndërhyrjeve të vazhdueshme në zonën gri nga Kina, por kolegët tanë të rojës bregdetare janë gjithmonë në vijën e parë për të zbatuar ligjin dhe për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e popullit të Tajvanit”, tha Lai gjatë prezantimit të ushtrimeve, ku mori pjesë edhe diplomat i lartë amerikan në Kaohsiung, Neil Gibson.
“Qeveria do të vazhdojë ta konsolidojë fuqinë e të gjitha departamenteve dhe të forcojë rezistencën e shoqërisë në tërësi për ta mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për ta ruajtur demokracinë dhe liritë e Tajvanit”, shtoi Lai.