Një senator i opozitës në Kolumbi dhe kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm është qëlluar dhe plagosur gjatë një aktiviteti elektoral në Bogota të shtunën, njoftoi qeveria.
Një video që po qarkullon në rrjetet sociale tregon Miguel Uriben 39-vjeçar duke mbajtur një fjalim përpara një grupi njerëzish, kur papritur dëgjohen të shtëna armësh.
Në pamje të tjera ai shihet i mbështetur mbi kofanon e një makine të bardhë, me gjak në trup, ndërsa disa burra përpiqen ta ndihmojnë dhe ta mbajnë në këmbë.
Qeveria e presidentit Gustavo Petro tha se "e dënon kategorikisht dhe fuqimisht" sulmin ndaj Uribes gjatë aktivitetit elektoral në perëndim të kryeqytetit.
“Kjo vepër dhune është një sulm jo vetëm ndaj tij personalisht, por edhe ndaj demokracisë, lirisë së mendimit dhe ushtrimit legjitim të politikës në Kolumbi”, shkruhej në deklaratën e presidencës.
Uribe, një kritik i fortë i Petros, është anëtar i partisë Qendra Demokratike, udhëhequr nga ish-presidenti me ndikim Alvaro Uribe, që qeverisi Kolumbinë nga viti 2002 deri në 2018.
Ai shpalli synimin e tij për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026 në muajin tetor të kaluar.
Kryetari i Bashkisë së Bogotës, Carlos Galan, tha në X se Miguel Uribe është “nën kujdes emergjent”, duke shtuar se “autori i të shtënave është kapur”.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Pedro Sanchez shkroi në X se autoritetet kanë ofruar një shpërblim prej rreth 700.000 dollarësh për informacion që çon në kapjen e personave që qëndrojnë pas këtij sulmi.
Udhëheqësit e ushtrisë dhe policisë po zhvillonin një takim për të “hartuar një strategji për të përballuar situatën”, tha ministri.