Një tërmet me magnitudë 8,8 ballë goditi të mërkurën gadishullin Kamçatka të Rusisë, duke nxitur paralajmërime për cunami në të gjithë rajonin e Oqeanit Paqësor, njoftoi Shërbimi Gjeologjik i ShBA-së (USGS).
Epiqendra u regjistrua në një thellësi prej 20.7 kilometrash dhe 119 kilometra në lindje-juglindje të Petropavlovsk-Kamçatsky. Akademia Ruse e Shkencave njoftoi se ky ishte tërmeti më i fuqishëm që ka goditur rajonin që nga viti 1952.
Guvernatori i Kamçatkës, Vladimir Solodov, tha se tërmeti ishte “serioz dhe më i forti në dekada”. Disa persona u plagosën, ndërsa ministri rajonal i shëndetësisë, Oleg Melnikov, tha se “të gjithë pacientët janë në gjendje të mirë dhe nuk ka lëndime serioze”. Rreth 2.700 persona u evakuuan në ishujt Kurile, ndërsa qyteti Severo-Kurilsk shpalli gjendje të jashtëzakonshme pas përmbytjeve nga valët e cunamit.
Paralajmërime për cunami në ShBA, Japoni, Indonezi dhe Peru
Sistemi amerikan për paralajmërime ndaj cunamit nxori alarme për bregdetin e Rusisë, Japonisë, Alaskës dhe Havait. Në Havai u urdhërua evakuimi i disa zonave bregdetare dhe u mbyllën portet për anijet tregtare, ndërsa guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, paralajmëroi për rrezik përgjatë veriut të shtetit.
Japonia dhe Indonezia gjithashtu lëshuan paralajmërime për cunami dhe bënë thirrje për evakuimin e zonave bregdetare. Agjencia japoneze paralajmëroi se valët mund të arrijnë deri në tre metra në disa zona, ndërsa në Indonezi paralajmërimi parashikon valë më të ulëta se 0,5 metra.
Edhe Peruja nxori paralajmërim për cunami përgjatë bregdetit, duke theksuar se pritet që valët të mbërrijnë gjatë së mërkurës në mëngjes, por nuk do të kalojnë tre metra lartësi.
Paralajmërimet për cunami janë dhënë tashmë në Rusi, Japoni, ShBA, Indonezi dhe Peru – duke përfshirë kështu katër kontinente.