Ministri i Tregtisë së Türkiyes, Ömer Bolat, do të zhvillojë një vizitë zyrtare dyditore në Japoni më 23-24 prill, me synimin për të çuar miqësinë historike mes dy vendeve në një nivel më të lartë në fushën ekonomike dhe tregtare.
Vizita përkon me 101-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Në kuadër të saj, Bolat do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së pavijonit turk në EXPO 2025 Osaka, ku Türkiye do të prezantojë vizionin e saj kulturor dhe teknologjik për të ardhmen nën temën “Epoka e Artë e Qytetërimeve”.
Pavijoni kombëtar i Türkiyes, me një sipërfaqe prej 900 m², bashkon trashëgiminë e pasur të Anadollit me perspektivën moderne të vendit për inovacionin dhe zhvillimin.
Gjatë ditës së dytë të vizitës, Bolat do të zhvillojë takime dypalëshe të ndara në Tokio me ministrat japonezë të Tregtisë, Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe të Bujqësisë.
Bolat gjithashtu do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të CEO-ve Türkiye-Japoni, e cila bashkon emrat kryesorë të botës së biznesit turk dhe japonez, dhe do të takohet me presidentin e Organizatës Japoneze për Tregtinë e Jashtme (JETRO).
Thirrje për investime strategjike
Volumi tregtar midis dy vendeve arriti në 5,4 miliardë dollarë në vitin 2024, me Japoninë që rënditet si partneri i katërt më i madh tregtar i Türkiyes në Azi.
Megjithatë, balanca tregtare është e pabarabartë: eksportet e Türkiyes kapin vlerën 718 milionë dollarë, ndërsa importet nga Japonia janë 4,7 miliardë dollarë.
Për të adresuar këtë pabarazi dhe për të krijuar një strukturë më të drejtë ekonomike, përshpejtimi i negociatave për Marrëveshjen e Partneritetit Ekonomik (EPA), e nisur në vitin 2014, mbetet prioritet për të dyja palët.
Investimi total i më shumë se 275 kompanive japoneze që operojnë në Türkiye tejkalon 3,1 miliardë dollarë.
Türkiye ofron mundësi të rëndësishme për kapitalin japonez me vendndodhjen e saj strategjike ndërkontinentale, fuqinë punëtore të re dhe dinamike, infrastrukturën e avancuar dhe reformat miqësore për investitorët.