LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Raporti i IPC-së: “Skenari më i keq i urisë” po ndodh aktualisht në Gaza
“Pragjet e urisë janë tejkaluar në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës për sa i përket konsumit ushqimor, dhe për kequshqyerjen akute në Qytetin e Gazës”, thuhet në një raport të sistemit global të monitorimit të urisë.
Raporti i IPC-së: “Skenari më i keq i urisë” po ndodh aktualisht në Gaza
Raporti i IPC-së: “Skenari më i keq i urisë” po ndodh aktualisht në Gaza / AA
29 Korrik 2025

Sistemi i klasifikimit të sigurisë ushqimore (IPC – Integrated Food Security Phase Classification), një mekanizëm global për monitorimin e urisë, paralajmëroi të martën se “skenari më i keq i urisë” po bëhet realitet në Gaza, në mes të konfliktit të përshkallëzuar, zhvendosjeve masive dhe qasjes thuajse të pamundur në ushqim.

“Dëshmitë po shtohen se uria masive, kequshqyerja dhe sëmundjet po rrisin ndjeshëm vdekjet nga uria”, thuhet në raportin më të ri të IPC-së.

“Të dhënat e fundit tregojnë se janë arritur pragjet e urisë për konsumin ushqimor në pjesën më të madhe të Gazës, si dhe për kequshqyerjen akute në qytetin e Gazës.”

Raporti nënvizon se kequshqyerja është rritur ndjeshëm në gjysmën e parë të korrikut, ku mbi 20.000 fëmijë janë pranuar për trajtim për kequshqyerje akute që nga prilli deri në mesin e korrikut – prej tyre më shumë se 3.000 në gjendje të rëndë.

Spitalet raportojnë një rritje të shpejtë të vdekjeve nga uria te fëmijët nën 5 vjeç, me të paktën 16 raste të vdekjes të raportuara që nga data 17 korrik.

“Duhet veprim i menjëhershëm për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të mundësuar një përgjigje humanitare të pakufizuar, në shkallë të gjerë dhe që shpëton jetë”, thekson IPC-ja.

“Kjo është e vetmja rrugë për të ndalur vdekjet e mëtejshme dhe vuajtjet katastrofike njerëzore.”

Raporti thekson gjithashtu se qasja e njerëzve në ushqim në Gaza është bërë “jashtëzakonisht e pasigurt dhe jashtëzakonisht e rrezikshme”, pasi që nga 27 maji, mbi 1.000 persona janë vrarë teksa përpiqeshin të gjenin ushqim.

Izraeli ka vendosur një bllokadë mbi Gazën që prej 18 vitesh, dhe që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha pikat kufitare, duke bllokuar hyrjen e autokolonave me ndihma dhe duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për t’i rihapur ato.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 147 persona kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023, përfshirë 88 fëmijë.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë gati 60,000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us