Organizatat humanitare shpërndanë ushqime të nxehta për banorët e kampit të refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore, ku mijëra njerëz po luftojnë për të mbijetuar mes konfliktit të vazhdueshëm dhe një krize humanitare të thelluar.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë turma të mëdha palestinezësh që ishin të mbledhur për të marrë ushqim, me shpresën për të siguruar një pjesë për familjet e tyre.
Që nga 2 marsi i vitit 2025, Izraeli ka mbajtur të mbyllura të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke bllokuar hyrjen e ushqimeve thelbësore, mjekësore dhe ndihmave, sipas raporteve të shumta nga organizatat ndërkombëtare dhe grupet e të drejtave, duke përkeqësuar situatën tashmë të rëndë humanitare.
Më 18 mars, ushtria izraelite nisi një fushatë të befasishme ajrore ndaj Gazës, duke vrarë që atëherë mbi 1.800 palestinezë dhe duke plagosur mbi 4.800 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që u arrit në muajin janar.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, të paktën 51.201 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.