BOTA
2 minuta leximi
Shtëpia e Bardhë: ShBA-ja dhe Arabia Saudite, marrëveshje mbrojtjeje prej 142 miliardë dollarësh
“ShBA-ja dhe Arabia Saudite nënshkruan marrëveshjen më të madhe të shitjes në mbrojtje në histori – gati 142 miliardë dollarë, duke i siguruar Arabisë Saudite pajisje dhe shërbime luftarake të teknologjisë së fundit”, tha Shtëpia e Bardhë.
Shtëpia e Bardhë: ShBA-ja dhe Arabia Saudite, marrëveshje mbrojtjeje prej 142 miliardë dollarësh
Shtëpia e Bardhë: ShBA-ja dhe Arabia Saudite, marrëveshje mbrojtjeje prej 142 miliardë dollarësh / AA
13 Maj 2025

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar “marrëveshjen më të madhe të shitjes në sektorin e mbrojtjes në histori” me vlerë gati 142 miliardë dollarë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite nënshkruan marrëveshjen më të madhe të shitjes në mbrojtje në histori – gati 142 miliardë dollarë, duke i siguruar Arabisë Saudite pajisje dhe shërbime luftarake të teknologjisë së fundit nga mbi një duzinë firmash amerikane të mbrojtjes”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Marrëveshja masive përkon me mbërritjen e presidentit Donald Trump në Riad, duke shënuar fillimin e turneut të tij katërditor në Gjirin Persik.

Sipas njoftimit, shitjet e synuara ndahen në pesë kategori: avancimi i forcave ajrore dhe aftësitë hapësinore; mbrojtja ajrore dhe raketore; siguria detare dhe bregdetare; siguria kufitare dhe modernizimi i forcave tokësore; dhe përmirësimet e sistemeve të informacionit dhe të komunikimit.

Paketa përfshin gjithashtu programe trajnimi që synojnë ndërtimin e kapacitetit ushtarak saudit, duke përfshirë “përmirësimin e akademive të shërbimit saudit dhe shërbimeve mjekësore ushtarake”.

Marrëveshja për mbrojtjen vjen ndërsa ministri saudit i Investimeve Khalid Al-Falih njoftoi planet e mbretërisë për të injektuar investime të reja me vlerë 600 miliardë dollarë në ShBA gjatë katër viteve të ardhshme.

Turneu i Trumpit në Gjirin Persik do të vazhdojë me vizita në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – udhëtimi i tij i parë i madh ndërkombëtar i mandatit të tij të dytë, pas një vizite të shkurtër në Itali për funeralin e Papë Françeskut.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us