2 Qershor 2025
Izraeli pezulloi fluturimet në aeroportin "Ben Gurion" në Tel Aviv të hënën mbrëma pas një sulmi raketor të lëshuar nga Jemeni, raportuan mediat izraelite.
Në një deklaratë ushtarake thuhet se mbrojtja kundërajrore izraelite ka kapur një raketë balistike të nisur nga Jemeni.
Sipas ushtrisë, sulmi raketor aktivizoi sirenat e alarmit në të gjithë Izraelin qendror, në zonën e Jerusalemit, në disa vendbanime të Bregut Perëndimor si dhe në disa rajone në jug të vendit.
Nuk raportohet për të lënduar.
E përditshmja izraelite "Yedioth Ahronot" raportoi se autoritetet pezulluan përkohësisht fluturimet në aeroportin "Ben Gurion" pas sulmit.
Grupi jemenas Huthi nuk e ka komentuar menjëherë pretendimin izraelit.