I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, tha të enjten se delegacioni amerikan që po merrte pjesë në bisedimet për armëpushim në Gaza do të kthehet në Uashington për konsultime, pas përgjigjes së Hamasit ndaj propozimit për armëpushim.
“Ne kemi vendosur ta kthejmë ekipin tonë nga Doha për konsultime, pas përgjigjes së fundit nga Hamasi, që tregon qartë mungesën e vullnetit për të arritur një armëpushim në Gaza. Edhe pse ndërmjetësit kanë bërë përpjekje të mëdha, Hamasi nuk duket i koordinuar dhe nuk po vepron me mirëbesim”, shkroi Witkoff në platformën X.
“Tani do të shqyrtojmë opsione alternative për kthimin e pengjeve dhe për të krijuar një mjedis më të qëndrueshëm për popullin e Gazës. Është për të ardhur keq që Hamasi ka vepruar në mënyrë egoiste. Ne mbetemi të vendosur për t’i dhënë fund këtij konflikti dhe për një paqe të përhershme në Gaza”, shtoi ai.
Nuk është e qartë se cilat janë opsionet alternative që përmendi Witkoff.
Më herët të enjten, Izraeli njoftoi se kishte tërhequr ekipin e tij negociator, në kohën kur Witkoff po takohej në Romë me ministrin izraelit për çështje strategjike, Ron Dermer.
Hamasi po ashtu konfirmoi se ia kishte dorëzuar përgjigjen e tij, së bashku me atë të grupeve të tjera palestineze, ndërmjetësve. Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu e pranoi marrjen e përgjigjes dhe tha se ajo është nën shqyrtim. Asnjëra palë nuk zbuloi përmbajtjen.
Megjithatë, sipas Kanalit 12 në Izrael, Hamasi ka kërkuar lirimin e 200 palestinezëve të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e izraelitëve në këmbim të 10 pengjeve të gjalla, si dhe lirimin e 2.000 palestinezëve të arrestuar nga forcat izraelite në Gaza që nga 7 tetori 2023.
Propozimi fillestar, të cilin Izraeli thuhet se e kishte pranuar, parashikonte lirimin e 125 të burgosurve me burgim të përjetshëm dhe 1.200 të tjerë të arrestuar në Gaza që nga fillimi i luftës.
Gazeta Israel Hayom, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të sigurisë, raportoi se ushtria izraelite po përgatitet për të zgjeruar operacionet tokësore në Gaza pas përgjigjes së Hamasit.
Tel Avivi vlerëson se rreth 50 pengje ndodhen ende në Gaza, rreth gjysma e të cilëve janë të gjallë. Më shumë se 10.800 palestinezë ndodhen në burgjet izraelite, ku janë të ekspozuar ndaj torturës, urisë dhe neglizhencës mjekësore, gjë që ka shkaktuar shumë vdekje, sipas raporteve të organizatave për të drejtat e njeriut palestineze dhe izraelite.
Që nga 6 korriku, negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit po zhvillohen në Doha, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit dhe me mbështetjen e ShBA-së, në përpjekje për një marrëveshje për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve.