Rusia pret që presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ekipi i tij të vazhdojnë përpjekjet për ta drejtuar zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë drejt një kornize politike dhe diplomatike, pavarësisht kompleksitetit të çështjes, tha të mërkurën zëdhënësi i Kremlinit.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Dmitry Peskov tha se në deklaratat e tij të fundit, Trump pranoi se zgjidhja e çështjes ukrainase doli të jetë më e ndërlikuar nga sa e kishte parashikuar.
“Kjo është pikërisht ajo që kemi thënë që nga fillimi. Nuk është e mundur të zgjidhet gjithçka brenda natës,” tha ai. “Shpresojmë që Trump dhe ekipi i tij do të vazhdojnë përpjekjet për ta sjellë procesin e zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë në nivel politik e diplomatik.”
Përpara se të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë, Trump pati deklaruar vazhdimisht se mund ta përfundonte luftën Rusi-Ukrainë brenda 24 orëve, por muajin e kaluar pranoi se situata është “më e vështirë nga sa njerëzit mund ta imagjinojnë.”
Duke komentuar raportet mediatike se gjatë ndalesave të fushatës vjeshtën e kaluar, Trump kishte kërcënuar me bombardimin e Rusisë dhe Kinës, Peskov tha se Moska mbetet e qetë për këtë situatë, duke shtuar se Trump “në përgjithësi ka një stil mjaft të ashpër.”
Rusia, sipas tij, sheh që ShBA dëshiron ta zgjidhë konfliktin në Ukrainë dhe ta bëjë këtë shumë shpejt, por kompleksiteti i vetë çështjes pengon një zgjidhje të menjëhershme.
“Janë kryer tashmë disa punë, janë zhvilluar dy raunde shumë sfiduese (bisedimesh në Istanbul). Presim që raundi i tretë të mbahet më në fund dhe dialogu të vazhdojë,” tha ai, duke theksuar se Rusia ende pret propozime nga Ukraina për datat e mundshme të raundit të tretë.
Duke komentuar raportet mediatike që pretendojnë se komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, beson se Ukraina duhet të rikthejë dhe të mbajë pozicionet në territoret e rajoneve Kursk dhe Belgorod, Peskov tha se ushtria ruse po vazhdon punën e saj.
“Trupat tona po avancojnë, po krijojnë zona të tamponit për të garantuar sigurinë e rajoneve tona,” tha ai.