Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, zhvilloi takimin e parë bilateral në Bruksel me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Bislimi në një prononcim për media pas takimit, tha se Sorensen tregoi qasjen që ai mendon që ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve, qoftë në nivel të kryenegociatorëve, qoftë edhe në takimet e larta ku pastaj udhëhiqen nga Kaja Kallas, si dhe pas kësaj u diskutuan një sërë temash.
Bislimi tha se në këtë takim u kërkua një përgjigje nga BE-ja lidhur me menaxhimin e integruar të kufirit ku ka mungesa të mëdha nga ana e Serbisë në përmbushjen e obligimeve të tyre.
"Për shembull, në tri pika kufitare që ata është dashur të ndërtojnë, ose në përgjigje ndaj propozimeve tona që në Bujanoc, në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë të hapen pika sezonale gjatë kohës kur ka më shumë udhëtarë që kthehen edhe nga diaspora, por edhe për problemet që kemi në këtë fushë me njohjen e certifikatave fitosanitare edhe atyre veterinare dhe pengesave që iu bën Serbia", tha Bislimi.
Ai theksoi se në takim diskutuan edhe për mbështetjen që Kosova u jep shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përmes ndihmave për fermerët e vegjël të cilat ai tha se po i bllokon Serbia në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
"Folëm edhe për fushatën dezinformuese që Serbia e ka nisur në shumë fronte me qëllim të dezinformimit të partnerëve ndërkombëtarë por edhe mbajtjes së lartë të presionit te qytetarët serbë në Kosovë dhe tema të tjera të ngjashme. Ka qenë i paraparë edhe një trilateral, por ky nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodhur komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arritur në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë apo diçka të ngjashme", theksoi Bislimi.
Zv/kryeministri kosovar shtoi se mosformimi i institucioneve të reja në Kosovë shkakton vështirësi për arsye se nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë, por megjithatë janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë nëse ka konstruktivitet apo qasje konstruktive nga ana e Serbisë.
"Mendoj që nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e Kuvendit", shtoi ai.
Ditë më parë në Prishtinë qëndroi për një vizitë zyrtare kryediplomatja e BE-së, Kallas, duke bërë thirrje në përmirësimin e raporteve Kosovë-Serbi, që të mund të ketë të ardhme evropiane për të dyja vendet.