Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë medalje presidenciale për nënat e Srebrenicës, në ditën e parë të Forumt Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Hada Hoxhiq, njëra nga ata që mori medaljen nga presidentja tha se kanë luftuar për ta treguar të vërtetën në gjithë botën.
"Edhe nëse kam mbetur pa të birin, pa vëlla, pa familje, pa qytetin tim, pa tokën time – unë e kam nderin, si dhe i kam hapur sytë për dinjitetin njerëzor, për drejtësi dhe për paqe, për të drejtën e çdo njeriu, për shtetin tim që të mbështetet në paqe, jetë, liri, në të drejtën për të shprehur fenë apo bindjet, që na është mohuar në vendlindjen tonë", tha ajo.
Ministri i Punëve të Jashtme në Bosnjë e Hercegovinë, Elmedin Konakoviq tha se këto gra kanë përjetuar dhimbjen më të thellë njerëzore.
"Nënat e Srebrenicës janë bërë një simbol global i dinjitetit dhe drejtësisë pas një prej kapitujve më të errët të Evropës. Përballë një humbjeje të paimagjinueshme, ato refuzojnë të heshtin. Në vend të urrejtjes, ato zgjedhin dinjitetin, në vend të hakmarrjes, ato zgjedhin të vërtetën. Guximi i tyre vazhdon të kërkojë llogaridhënie dhe të frymëzojë brezat që të qëndrojnë kundër gjenocidit dhe padrejtësisë. Ato nuk janë vetëm zëri i Srebrenicës, ato janë ndërgjegjja e mbarë botës", u shpreh ai.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova e ka përjetuar dhimbjen e njëjtë nga i njëjti agresor.
"Srebrenica është një plagë e hapur në ndërgjegjen e botës. Ajo është simboli i një tragjedie që tronditi ndërgjegjen globale, por që ende, ende nuk ka marrë drejtësinë që meriton. Aty, më shumë se 8.000 burra dhe djem u masakruan pa mëshirë nga forcat gjenocidale serbe për vetëm disa ditë, dhe kjo ndodhi para syve të botës. Ndërsa gratë - nënat, motrat, bijat - mbetën me një dhimbje që nuk pushon kurrë. Ne në Kosovë e ndiejmë thellë dhimbjen tuaj, sepse edhe ne e kemi përjetuar të njëjtin gjenocid, të kryer nga të njëjtët agresorë. Lista e masakrave është e gjatë dhe e dhimbshme", tha Osmani.
Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovës organizohet nën udhëheqjen e presidentes, Vjosa Osmani.