Gjykata në Prishtinës shpalli fajtor dhe dënoi me burg Millun Millenkoviq-Llune, Aleksandar Vllajiq dhe Dejan Pantiq për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022.
Millenkoviq dhe Vllajiq janë dënuar me nga pesë vjet burgim, ndërkaq Pantiq me dy vjet burgim. Me aktgjykimin e gjykatës, Miomir Vakiq është liruar nga akuza.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj ka njoftuar aktgjykimin për të akuzuarit, të cilët nuk ishin të pranishëm në gjykatë.
“Të akuzuarit Millun Millenkoviq dhe Aleksandar Vllajiq janë fajtorë për veprën penale ‘kryerja e veprës terroriste’ nga neni 129, paragrafi 1 lidhur me nenin 128, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I akuzuari Dejan Pantiq është fajtor për veprën penale të ricilësuar ‘pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm’, nga neni 404, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I akuzuari Miomir Vakiq në harmoni me nenin 363 në harmoni me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak se nuk është provuar se ka kryer veprën penale, lirohet nga akuza për veprën penale “kryerja e veprës terroriste”, deklaroi ai.
“[Pala] E dëmtuara Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për realizimin e kompensimit të dëmit/kërkesës pasurore juridike, udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil. I akuzuari Miomir Vakiq lirohet nga shpenzimet e kësaj procedure penale, për shkak të marrjes së aktgjykimit lirues ndaj këtij të akuzuarit”, shtoi Kurtaj.
Të akuzuarit Millun Millenkoviq, Aleksandar Vllajiq dhe Dejan Pantiq obligohen që çdo njëri prej tyre të paguajë shumën prej 200 euro në emër të shpenzimeve procedurale dhe shumën prej 100 euro në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Kundër këtij aktgjykimi është e drejta e ankesës brenda pesëmbëdhjetë ditësh.
Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në dhjetor të vitit 2023 për veprën penale "akt terrorist".
Ata akuzohen për sulm me mjete shpërthyese ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës duke rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Në dhjetor të vitit 2022, ishin hedhur dy mjete shpërthyese në zyrat e KQZ-së, prej të cilave njëra kishte eksploduar.