RAJONI
2 minuta leximi
Zjarr në Parkun Kombëtar të Prespës, mbi 150 forca në terren për shuarjen e flakëve
Si pasojë e zjarreve të shumta në Parkun Kombëtar të Prespës janë djegur rreth 7 hektarë bimësi.
Zjarr në Parkun Kombëtar të Prespës, mbi 150 forca në terren për shuarjen e flakëve
Zjarr në Parkun Kombëtar të Prespës, mbi 150 forca në terren për shuarjen e flakëve / ATA
28 Korrik 2025

Në Shqipëri, vatra e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës vijon të jetë aktive, por autoritetet shpresojnë se do të neutralizohet shpejt. Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole, tha në një prononcim për mediet se në operacion janë angazhuar rreth 150 forca dhe se falë uljes së temperaturave, pritet që flakët të vihen nën kontroll në një kohë më të shpejtë.

“Që para dy ditësh kemi marrë njoftim për një vatër zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës. Falë reagimit të shpejtë të strukturave vendore, u mobilizuam menjëherë. Sot është dita e dytë e aksionit, me rreth 150 forca të angazhuara. Falënderoj të gjitha ekipet që kanë punuar edhe në rastet e tjera të zjarreve në qarkun tonë”, tha Jole.

Prefekti bëri të ditur se vetëm gjatë ditëve të fundit, në gjithë qarkun e Korçës janë angazhuar rreth 1.000 forca dhe afro 100 mjete për shuarjen e vatrave të zjarrit, duke bërë të mundur që aktualisht e vetmja vatër aktive të jetë ajo në Prespë.

Sipas tij, deri tani në Parkun Kombëtar të Prespës janë djegur rreth 7 hektarë bimësi. 

“Besojmë se puna e sotme dhe e nesërmja do të mundësojnë që kjo vatër të neutralizohet plotësisht dhe të shmanget përhapja e saj në sipërfaqe të tjera të gjelbra të parkut”, tha ai.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us