POLITIKË
3 minuta leximi
Ukraina dhe Rusia përfundojnë bisedimet në Istanbul, Kievi kërkon mbajten e një samiti deri në gusht
Rusia propozoi që Ukraina të shqyrtojë shpalljen e disa armëpushimeve afatshkurtra, 24 deri në 48 orëshe, si pjesë e përpjekjeve për ndërtimin e besimit.
Ukraina dhe Rusia përfundojnë bisedimet në Istanbul, Kievi kërkon mbajten e një samiti deri në gusht
Ukraina dhe Rusia përfundojnë bisedimet në Istanbul, Kievi kërkon mbajten e një samiti deri në gusht / Reuters
23 Korrik 2025

Raundi i tretë i bisedimeve të rinovuara të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës përfundoi në Istanbul, duke zgjatur më pak se një orë, me të dyja palët që shprehën gatishmëri të kujdesshme për dialog të mëtejshëm, ndonëse dallimet kyç mbeten.

Pas takimit të së mërkurës, kreu i delegacionit të Ukrainës tha se Kievi është i gatshëm të pranojë një armëpushim të menjëhershëm dhe propozoi mbajtjen e një samiti të liderëve deri në fund të gushtit.

“Ne duam një proces të fokusuar në rezultate”, tha Andriy Yermak, duke i bërë thirrje Rusisë të tregojë një “qasje konstruktive” në vijim.

Ukraina shprehu gjithashtu shpresën për “përparim të mëtejshëm” në shkëmbimin e të burgosurve të luftës (POWs), duke u mbështetur mbi një marrëveshje të fundit që përfshinte kthimin e trupave të 1.200 ushtarëve të rënë.

Kontakti do të vazhdojë

Negociatori kryesor i Rusisë, Vlladimir Medinsky, tha se të dyja palët ranë dakord të mbajnë kontakte të vazhdueshme dhe se “të gjitha marrëveshjet humanitare janë përmbushur.”

Ai konfirmoi gjithashtu se ishte realizuar një shkëmbim i dytë në shkallë të gjerë i trupave dhe propozoi dorëzimin e 3.000 trupave të tjerë në Ukrainë.

Medinsky shtoi se Moska kishte propozuar krijimin e tre grupeve pune online për të trajtuar çështje politike, ushtarake dhe humanitare, dhe tha se diskutimet përfshinë edhe riatdhesimin e civilëve të ndaluar.

Ai theksoi se jo të gjithë civilët rusë nga rajoni i Kurskut janë kthyer dhe sugjeroi që ata të shkëmbehen me ushtarë ukrainas.

I pyetur për thirrjen e Ukrainës për një takim midis presidentëve Volodymyr Zelenskyy dhe Vlladimir Putin, Medinsky tha se një samit i tillë duhet të përdoret vetëm për nënshkrimin e dokumenteve, jo për zhvillimin e diskutimeve.

Armëpushime afatshkurtra

Për më tepër, Rusia propozoi që Ukraina të shqyrtojë shpalljen e disa armëpushimeve afatshkurtra si pjesë e përpjekjeve për ndërtimin e besimit.

Megjithëse i shkurtër, takimi në Istanbul përfaqësonte një hap tjetër në përpjekjet e Türkiyes për ta ndërmjetësuar përfundimin e luftës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e katërt.

Përpjekjet diplomatike të Ankarasë

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, kishte shprehur më herët shpresën se bisedimet do të prodhonin “konsultime të orientuara drejt rezultateve” dhe do të hapnin rrugën për një marrëveshje më të gjerë armëpushimi.

Fidan theksoi se Türkiye ka luajtur një rol aktiv diplomatik që nga fillimi i konfliktit, duke shtuar: “Türkiye ka bërë përpjekje të fuqishme nën udhëheqjen e presidentit Erdoğan që nga fillimi i këtij konflikti.”

Ai tha se qëllimi i Ankarasë ishte që palët të ndërtonin mbi dialogun e mëparshëm dhe të fokusoheshin në hapa konkretë përpara.

“Qëllimi ynë është që palët të zhvillojnë konsultime të orientuara drejt rezultateve për memorandumin,” tha ai, duke iu referuar dokumenteve të shkëmbyera në raundet e mëparshme të bisedimeve që krijuan bazën për propozimet e armëpushimit dhe marrëveshjet humanitare.

“Qëllimi përfundimtar”, shtoi ai, “është të ndërtojmë paqe përmes një armëpushimi.”

Raundi i mëparshëm i bisedimeve në qershor çoi në një marrëveshje historike për riatdhesimin e mbetjeve të ushtarëve të rënë dhe për prioritetizimin e të burgosurve të luftës që janë rëndë të plagosur.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us