Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, gjatë një takimi koordinues me ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, ministren e Bujqësisë Anila Denaj dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, theksoi se qëllimi i mbledhjes ishte vlerësimi i gatishmërisë për përballimin e emergjencave civile dhe përcaktimi i përgjigjes ndaj komuniteteve të prekura, veçanërisht në fushën e blegtorisë.
Sipas Vengut, “gjatë muajit korrik janë regjistruar 59 vatra të mëdha zjarri dhe dhjetëra të tjera më të vogla, me një sipërfaqe të djegur që kap mbi 29 mijë hektarë”.
Qarqet më të goditura janë Vlora me 17.500 hektarë të djegura, ndjekur nga Dibra me 4.524 hektarë, Tirana me 2.400 hektarë dhe Berati me 1.500 hektarë. Ai shtoi se, ndonëse Shqipëria ka përjetuar vite me sipërfaqe më të mëdha të djegura, rekordi historik mbetet ai i vitit 2007 me 127 mijë hektarë. “Nëse më parë kishim rreth 6 zjarre në javë, këtë vit mesatarja ka shkuar në 13”, tha ministri.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar gjithsej 14.200 forca, 2.000 mjete të specializuara dhe janë zhvilluar 63 operacione nga ajri. Në këto operacione janë përdorur 4 helikopterë nga forcat shqiptare dhe mjete ajrore nga Hungaria, Italia, Greqia dhe Kroacia.
“Për herë të parë kemi pasur kaq shumë mjete ajrore në dispozicion. Jemi angazhuar për të shmangur humbje jete dhe dëme të mëdha. Deri tani raportohen 12 banesa të dëmtuara, 3 stane, një objekt kulti dhe një nënstacion energjie”, u shpreh Vengu.
Ai kërkoi që bashkitë e prekura ta përshpejtojnë procesin e vlerësimit të dëmeve, duke përfshirë numrin e rrënjëve të ullinjve, sipërfaqet e kullotave dhe dëmet në zonat e mbrojtura.