Murtezani theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është çështje sigurie dhe stabiliteti, duke theksuar se nuk ka Evropë stabile pa integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe pa politikë të bashkuar për fqinjësinë. Ai nënvizoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj reformave dhe dialogut të hapur, dhe kërkoi që çdo vend kandidat të vlerësohet mbi bazën e meritave, pa bllokada politike.
Ai vlerësoi mbështetjen e Irlandës si anëtare e BE-së, dhe shprehu shpresën që Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së në 2026 do ta avancojë perspektivën evropiane të rajonit.
Ministri Byrne falënderoi për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe bëri të ditur se gjatë Presidencës së Irlandës, procesi i zgjerimit do të jetë prioritet kryesor. Ai theksoi nevojën për të bindur qytetarët për përfitimet reale të zgjerimit dhe riafirmoi mbështetjen e vendit të tij për këtë proces.
Në lidhje me krizën humanitare në Gaza, Byrne e përshkroi situatën si katastrofike dhe kërkoi ndihmë urgjente humanitare. Ai përmendi se Irlanda, së bashku me Spanjën dhe Norvegjinë, ka njohur Palestinën më shumë se një vit më parë dhe nënvizoi nevojën për veprime urgjente nga BE-ja.
Murtezani tha se situata në Gaza është alarmante dhe se Maqedonia e Veriut, duke qenë plotësisht e përafruar me politikën e përbashkët të sigurisë dhe atë tjashtme të BE-së, do të ndjekë këtë rrugë në solidaritet me bashkësinë evropiane.