Italianët po votojnë në një referendum dyditor për të vendosur mbi çështje kyçe si ulja e kohës së qëndrimit të kërkuar për shtetësi për migrantët jo evropianë dhe rikthimi i mbrojtjeve të mëparshme në tregun e punës.
Qytetarët do të votojnë për pesë pyetje.
Pyetja e parë ka të bëjë me shtetësinë italiane dhe kërkon miratimin e të paktën 50 për qind të votuesve. Qytetarët po votojnë për të vendosur nëse periudha e kërkuar e qëndrimit ligjor në Itali për të huajt jo anëtarë të BE-së që aplikojnë për shtetësi duhet të ulet nga 10 në 5 vjet.
Votimi synon ta bëjë më të lehtë marrjen e shtetësisë së fëmijëve të lindur në Itali nga prindër të huaj, si dhe të garantojë më shumë mbrojtje në vendin e punës. Por niveli i ulët i ndërgjegjësimit publik rrezikon ta bëjë votimin të pavlefshëm nëse pjesëmarrja nuk është e mjaftueshme.
Nëse votimi kalon me sukses, rreth 2,5 milionë rezidentë jo anëtarë të BE-së mund të përfitojnë duke përfituar akses më të shpejtë në shtetësinë italiane.
Një tjetër pyetje lidhet me kontratat e punës dhe përfshin rritjen e mbrojtjes ligjore ndaj pushimeve të padrejta nga puna.
Referendumi përfshin gjithashtu çështje si kompensimet për pushime nga puna në biznese të vogla, shfuqizimin e pjesshëm të kufizimeve kohore për kontratat e punës, si dhe përgjegjësinë solidare për dëmtimet që pësojnë punonjësit e kompanive të kontraktuara apo nënkontraktuara, në raport me klientin, kontraktorin dhe nënkontraktorin.
Referendumet janë thirrur nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL) dhe partitë e majta, me qëllim shfuqizimin e pjesëve të Ligjit për Punën (“Jobs Act”) dhe rivendosjen e mbrojtjeve më të forta të punës dhe skemave kompensuese për pushimet nga puna në biznese të vogla.
Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni ka shprehur kundërshtim ndaj ndryshimeve dhe ka bërë thirrje për mospjesëmarrje në votim, duke synuar ta bëjë të pavlefshëm referendumin nëse pjesëmarrja bie nën kuotën prej 50%.
Votimi do të vazhdojë deri të hënën në mbrëmje, ndërsa votuesit jashtë vendit kanë votuar tashmë me postë.