Aktorët zanorë dhe të kapjes së lëvizjes (motion capture) të lojërave video në Hollywood nënshkruan një kontratë të re me studiot e videolojërave më 9 korrik, me fokus te mbrojtjet kundër inteligjencës artificiale, tha sindikata e aktorëve, SAG-AFTRA, në një njoftim për shtyp, duke i dhënë fund një greve gati njëvjeçare.
"IA ishte qendra e paketës sonë të propozimeve," tha për Reuters Sarah Elmaleh, aktore zanore e videolojërave dhe anëtare e komitetit negociator, pasi marrëveshja e re u miratua.
Elmaleh, një aktore zanore për tituj popullorë si "Final Fantasy XV" dhe "Call of Duty: Black Ops III," tha se e dinte që ishte thelbësore të sigurohej një bazë për përdorimin etik të AI në industrinë e lojërave.
Çfarë përfshin marrëveshja?
Mbrojtjet e reja përfshijnë kërkesat për pëlqim dhe zbulim për përdorimin e kopjeve digjitale të IA dhe aftësinë e interpretuesve për të pezulluar pëlqimin për gjenerimin e materialeve të reja gjatë një greve.
"Kjo marrëveshje arrin një progres të rëndësishëm rreth mbrojtjeve të IA, dhe progresi është emri i lojës," tha Presidentja e SAG-AFTRA, Fran Drescher, në deklaratën e sindikatës.
Kontrata e re gjithashtu ofron më shumë masa sigurie për interpretuesit duke siguruar mjekë në set gjatë skenave me rrezik të lartë, duke adresuar atë që ka qenë një shqetësim specifik për interpretuesit e videolojëraveme kapje lëvizjeje.
"Ka njerëz që jo vetëm u japin zërin këtyre personazheve, por edhe trupat e tyre, dhe ata rrezikojnë trupat e tyre për këta personazhe," tha Elmaleh.
Aktorët e kapjes së lëvizjes, të njohur gjithashtu si artistë të kapjes së performancës, punësohen në prodhimin e lojërave video për të ofruar performanca fizike realiste që animatorët i përdorin për të krijuar personazhe dhe veprime realiste. Ata veshin kostume të specializuara me sensorë që gjurmojnë lëvizjet e trupit, shprehjet e fytyrës dhe gjestet e tyre. Këto të dhëna më pas përkthehen në animacione dixhitale të përdorura për të krijuar personazhe realiste në lojëra video.
Marrëveshja parashikon rritje të kombinuara në pagën e interpretuesve me një normë prej 15.17 për qind pas ratifikimit, plus rritje shtesë prej 3 për qind në nëntor 2025, nëntor 2026 dhe nëntor 2027.
Cilat studio mbulohen?
Marrëveshja zbatohet për studiot e videolojërave Activision Productions, Blindlight, Disney Character Voices, Electronic Arts Productions, Formosa Interactive, Insomniac Games, Llama Productions, Take 2 Productions dhe WB Games.
Marrëveshja e re e Medias Interaktive, e cila hyn në fuqi menjëherë, u miratua nga anëtarët e SAG-AFTRA me një votim prej 95.04 për qind pro dhe 4.96 për qind kundër, duke ratifikuar marrëveshjen dhe duke i dhënë fund grevës së lojërave video, e cila ishte pezulluar në pritje të ratifikimit.
Si arritëm këtu?
Ndërprerja e punës së aktorëve zanorë të lojërave video dhe interpretuesve të kapjes së lëvizjes filloi pas dështimit të negociatave të kontratës të përqendruara rreth mbrojtjeve të lidhura me IA për punëtorët, duke shkaktuar një tjetër ndërprerje pune në Hollywood pas grevave të dyfishta të shkrimtarëve dhe aktorëve në vitin 2023.
Greva solli një thirrje më të madhe për veprim në të gjithë Hollywood-in, ndërsa njerëzit në industri avokojnë për një ligj që mund t'i mbrojë ata nga rreziqet e AI.
Akti NO FAKES, një projekt-ligj dypartiak në Kongres i cili do ta bënte të paligjshme krijimin e një kopjeje të IA të pamjes dhe zërit të dikujt pa lejen e tyre, ka fituar mbështetjen nga sindikata e interpretuesve SAG-AFTRA, Shoqata e Filmit, Akademia e Regjistrimit dhe Disney.