BOTA
2 minuta leximi
Kina i bën thirrje Izraelit të heqë rrethimin e Gazës dhe të njohë shtetin palestinez
Kina i kërkoi të mërkurën Izraelit të ndërpresë ofensivën ushtarake në Gaza, të heqë bllokadën dhe të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare, duke përsëritur mbështetjen e saj për krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Kina i bën thirrje Izraelit të heqë rrethimin e Gazës dhe të njohë shtetin palestinez
Kina i bën thirrje Izraelit të heqë rrethimin e Gazës dhe të njohë shtetin palestinez / Reuters
21 orë më parë

“Zgjidhja me dy shtete është rruga thelbësore për zgjidhjen e çështjes palestineze. Kina e mbështet fuqimisht popullin palestinez në themelimin e një shteti të pavarur,” deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun, në një konferencë për shtyp.

Ai shprehu kundërshtimin e Pekinit ndaj përshkallëzimit të veprimeve ushtarake nga Izraeli dhe u shpreh i shqetësuar për katastrofën humanitare në Gaza. “Situata atje nuk ka qenë kurrë më e rëndë,” theksoi ai, duke shtuar se çështja palestineze qëndron në qendër të krizës në Lindjen e Mesme.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve, veçanërisht Izraelit, të ndalojnë menjëherë operacionet ushtarake, të heqin rrethimin dhe të garantojnë hyrjen e ndihmave humanitare,” vijoi Guo.

Ai theksoi gatishmërinë e Kinës për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar në funksion të ndalimit të luftimeve në Gaza, lehtësimit të krizës humanitare dhe zbatimit të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të drejtë përmes modelit me dy shtete.

Ndërkohë, Izraeli ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë mbi 60.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake ka shkatërruar infrastrukturën e enklavës dhe ka shkaktuar mungesë të theksuar ushqimi.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Po ashtu, Izraeli përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us