Në qytetin e Prizrenit u hap ekspozita "Artefaktet e Kosovës të marra nga Serbia", e organizuar nga organizata joqeveritare "Ec ma ndryshe". Ekspozita paraqet fotografi të dhjetëra artefakteve që vazhdojnë të mbahen në Serbi, duke shërbyer si një formë ndërgjegjësimi publik dhe thirrje për veprim institucional.
Sipas organizatorëve, qëllimi i ekspozitës është ta theksojë rëndësinë e kthimit të këtyre pasurive kulturore në vendin e tyre të origjinës. "Për më shumë se dy dekada, Serbia ka mbajtur nën kontroll një sasi të konsiderueshme të artefakteve të Kosovës. Më shumë se 1.247 objekte janë transportuar në Beograd për një ekspozitë dhe nuk janë kthyer kurrë," thuhet në deklaratën e organizatës.
"Ec ma ndryshe" bëri thirrje që institucionet e Kosovës t'i vazhdojnë përpjekjet për rikthimin e artefakteve, duke theksuar se ky është një proces që kërkon bashkëpunim të ndërsjellë dhe mbështetje ndërkombëtare.
Ekspozita do të udhëtojë edhe në qytete të tjera të Kosovës gjatë javëve në vijim.
Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se ka hartuar një raport me dëshmi konkrete dhe ka kërkuar përfshirjen e kësaj çështjeje në dialogun Kosovë–Serbi që zhvillohet në Bruksel. Megjithatë, pavarësisht se gjatë verës së vitit 2023 provat iu dorëzuan përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe zotimit të tij për veprim, asnjë hap konkret ende nuk është ndërmarrë nga pala serbe.