Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) ka njoftuar se ka zgjatur afatin ndaj Izraelit për ta paraqitur mbrojtjen në çështjen e gjenocidit përpara Hagës.
“Me një urdhër të datës 14 prill 2025, GjND-ja ka zgjatur afatin kohor për paraqitjen e kundër-memorialit të Izraelit deri më 12 janar të vitit 2026 për këtë rast”, njoftoi gjykata e OKB-së.
Procedimi duhej të zhvillohej më 28 korrik, përkatësisht afati i fundit për Izrаelit për të paraqitur një kundër-memorial.
GjND-ja tha se Izraeli kërkoi të shtyhej data deri në muajin janar, duke deklaruar se “një zgjatje e tillë ishte e nevojshme për një sërë arsyesh”.
Ndër këto arsye është se Izraeli pretendoi se përgatitja e kundër-memorialit ishte “penguar në mënyrë të konsiderueshme për shkak të një sërë çështjesh provash që kishin lindur ne lidhje me memorialin e Republikës së Afrikës së Jugut”.
GjND-ja tha se zgjati afatin pasi mori parasysh pikëpamjet e palëve.
Izraeli po përballet me një çështje gjenocidi në GjND për luftën në Rripin e Gazës, e cila që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 51 mijë palestinezë dhe e ka kthyer pjesën më të madhe të enklavës palestineze në rrënoja.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.