Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të hënën një urdhër ekzekutiv që shtyn afatin për vendosjen e tarifave reciproke deri më 1 gusht.
“Kam përcaktuar, bazuar në informacione shtesë dhe rekomandime nga zyrtarë të lartë të ndryshëm, përfshirë informacion mbi statusin e diskutimeve me partnerët tregtarë, se është e nevojshme dhe e përshtatshme të zgjatet pezullimi i vendosur nga Urdhri Ekzekutiv 14266 deri në orën 00:01 A.M më 1 gusht 2025,” tha Trump në urdhrin ekzekutiv të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Afati i mëparshëm kishte qenë 9 korrik.
Sa i përket Kinës, pezullimi i veçantë i tarifave i vendosur nga Urdhri Ekzekutiv 14298 i datës 12 maj mbetet në fuqi dhe nuk preket nga ky urdhër, thuhet më tej.
Më herët, Trump kishte shpallur tarifa për 14 vende, përfshirë: - 25 për qind tarifë për Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë, Kazakistanin dhe Tunizinë, - 30 për qind për Afrikën e Jugut dhe Bosnje dhe Hercegovinën, - 32 për qind për Indonezinë, - 35 për qind për Serbinë dhe Bangladeshin, - 36 për qind për Kamboxhën dhe Tajlandën, - 40 për qind për Laosin dhe Mianmarin.
“Jemi afër një marrëveshjeje me Indinë”
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ku priti kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trump u tha gazetarëve se afati i gushtit është “i fortë, por jo 100 për qind përfundimtar”.
“Nëse ata na telefonojnë dhe thonë ‘duam ta bëjmë ndryshe’, ne do të jemi të hapur për këtë.”
I pyetur për letrat që u kishte dërguar disa vendeve lidhur me tarifat, Trump tha se ato përfaqësojnë “oferta përfundimtare”.
“Ne jemi gjithmonë të hapur për të negociuar diçka të drejtë, por kemi folur me shumicën e vendeve. Ata e kanë pasur situatën në dorë për dekada të tëra… Thjesht kërkojmë drejtësi,” shtoi ai.
Trump po ashtu tha se ShBA ka arritur marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kinën.
“Jemi afër një marrëveshjeje me Indinë. Me të tjerët jemi takuar, dhe mendojmë se nuk do të mund të arrijmë marrëveshje. Prandaj u dërgojmë letër: nëse doni të luani, këto janë tarifat që duhet të paguani”, shtoi ai.