LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Türkiye, 9 vende të Ligës Arabe dhe OBI dënojnë votimin e Izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor
Türkiye, Bahreini, Egjipti, Indonezia, Jordania, Nigeria, Palestina, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e konsiderojnë këtë veprim si "shkelje të papranueshme të së drejtës ndërkombëtare".
Türkiye, 9 vende të Ligës Arabe dhe OBI dënojnë votimin e Izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor
Türkiye, 9 vende të Ligës Arabe dhe OBI dënojnë votimin e Izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor / AA
24 Korrik 2025

Türkiye, së bashku me 9 vende të tjera të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), dënuan fuqishëm miratimin nga parlamenti izraelit (Knesset) të të ashtuquajturit "sovranitet izraelit" mbi Bregun Perëndimor.

Ministria e Jashtme e Türkiyes në një deklaratë tha se palët, përfshirë Bahreinin, Egjiptin, Indonezinë, Jordaninë, Nigerinë, Palestinën, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, e konsiderojnë deklaratën "shkelje të hapur dhe të papranueshme të së drejtës ndërkombëtare".

Gjithashtu thuhet se deklarata e Izraelit shkel në mënyrë flagrante rezolutat kryesore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 242 (1967), 338 (1973) dhe 2334 (2016), të cilat hedhin poshtë të gjitha masat që legjitimojnë pushtimin, duke përfshirë vendbanimet në territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967.

Ministria tha se palët "riafirmojnë se Izraeli nuk ka sovranitet mbi Territorin e Pushtuar Palestinez", duke theksuar se ky veprim i njëanshëm izraelit nuk ka efekt ligjor dhe nuk mund të ndryshojë statusin ligjor të Territorit të Pushtuar Palestinez, veçanërisht Kudsin Lindor, i cili mbetet një pjesë integrale e tij.

Deklarata theksoi gjithashtu se veprime të tilla të Izraelit "vetëm sa nxisin tensionin në rritje në rajon", i cili është përkeqësuar nga agresioni izraelit në Rripin e Gazës dhe katastrofa humanitare në Rrip.

Palët i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Sigurimit dhe të gjithë aktorëve përkatës, të mbajnë përgjegjësitë e tyre ligjore dhe morale, shtoi deklarata.

Ministria bëri thirrje për t'u dhënë fund "politikave të paligjshme të Izraelit që synojnë të imponojnë një fakt të kryer me forcë", duke minuar perspektivat për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe perspektivat e zgjidhjes me dy shtete.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us