Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se Dhomat e Specializuara në Hagë e njohur si Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë, ka pranuar si prova materiale dokumente të cilat janë dorëzuar nga institucione të Serbisë, përfshirë nga e ashtuquajtura "Komandë për Kosovën dhe Metohinë".
Haxhiu nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale tha se përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga institucionet e regjimit serb është i gabuar dhe i papranueshëm, derisa ka theksuar se pranimi i materialeve nga struktura të regjimit serb si burime të besueshme është deformim i rëndë i drejtësisë dhe fyerje ndaj viktimave të luftës.
Sipas saj, Gjykata Speciale ka pranuar dokumente të dorëzuara nga disa institucione serbe si Departamenti i Sigurisë Shtetërore, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe e ashtuquajtura "Komandë për Kosovën dhe Metohinë".
"Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës. Pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri", ka shkruar Haxhiu.
Ajo tha se arsyetimi i gjykatës, e cila ka deklaruar se "fakti që disa Prova të Propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre" është juridikisht i gabuar dhe i padrejtë.
"Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktika të etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare, sipas të cilave një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e pranueshmërisë së provave është nëse burimi i tyre ka një interes në rezultatin e procesit apo ka indikatorë të tjerë të anshmërisë. Refuzimi i Gjykatës për ta marrë parasysh këtë kriter, ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit", ka shtuar ministrja kosovare në detyrë.
Haxhiu ka shtuar më tej se ky veprim e shndërron Gjykatën Speciale në instrument të mohimit të së vërtetës dhe relativizimit të krimeve.
"Sllobodan Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij janë gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte. Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga regjimi i tyre nga një gjykatë që vepron në emër të Republikës së Kosovës e zhvesh këtë gjykatë nga legjitimiteti kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të logjikës së vjetër të mohimit të së vërtetës, barazimit të palëve dhe relativizimit të krimeve. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por politikisht e papranueshme", ka përfunduar Haxhiu.
Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të pranuar si prova dokumente që thuhet se vijnë nga institucione të sigurisë dhe strukturat ushtarake të Serbisë.
Në një deklaratë publike, OVL-UÇK e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe si një tjetër arsye për të protestuar kundër "padrejtësive që po u bëhen ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës".
Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por, vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.