Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se është "i tmerruar" nga vrasja e palestinezëve gjatë shpërndarjes së ndihmës së udhëhequr nga Izraeli dhe ShBA-ja në Gaza dhe bëri thirrje për hetim të ngjarjes, transmeton Anadolu.
"Më kanë tmerruar lajmet lidhur me palestinezët e vrarë dhe të plagosur dje derisa kërkonin ndihmë në Gaza", tha Guterres duke shtuar se është e papranueshme që palestinezët ta rrezikojnë jetën e tyre për ushqim.
Ai bëri thirrje për hetim të menjëhershëm dhe të pavarur ndërsa autorët të mbahen përgjegjës lidhur me të shtënat mbi palestinezët që përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare.
Duke kujtuar se Izraeli ka detyrime të qarta sipas ligjit ndërkombëtar humanitar për të lehtësuar ndihmën humanitare, Guterres bëri thirrje që ndihma humanitare të hyjë në Gaza dhe që OKB-ja të veprojë në këtë zonë në mënyrë të sigurt.
Guterres shtoi se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin dhe përsëriti thirrjen për armëpushim të menjëhershëm, të përhershëm dhe të qëndrueshëm.
"Mekanizmi i shpërndarjes së ndihmës" i Izraelit
Që nga 27 maji, ushtria izraelite ka kryer sulme ndaj zonave të shpërndarjes të krijuara nga "Fondacioni i Ndihmës Humanitare në Gaza" i udhëhequr nga Izraeli dhe ShBA-ja, nën maskën e ndihmës humanitare. Forcat izraelite hapin zjarr ndaj civilëve që mblidhen në zonat e shpërndarjes që kanë krijuar në të ashtuquajturat "zona tampon".
Sulmet e fundit të ushtrisë izraelite dje ndaj palestinezëve që përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare në dy pika të ndara në Rripin e Gazës shkaktuan vdekjen e 32 personave dhe plagosjen e 232 të tjerëve.
Ushtria izraelite mohoi vrasjen e dhjetëra njerëzve duke hapur zjarr ndaj palestinezëve që prisnin ndihmë në një pikë shpërndarjeje në Rripin e Gazës.
Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Philippe Lazzarini deklaroi se "shpërndarja e ndihmës në Rripin e Gazës është kthyer në kurth vdekjeprurës".