RAJONI
2 minuta leximi
Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet edhe pas përpjekjes së 25-të me radhë
Shumica e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk e mbështetën krijimin e një Komisioni “ad-hoc” për votim të fshehtë të kryeparlamentarit.
Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet edhe pas përpjekjes së 25-të me radhë
Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet edhe pas përpjekjes së 25-të me radhë / AA
2 Qershor 2025

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet pas dështimeve që të bëhen votat e mjaftueshme për votimin e kryetarit të këtij institucioni, edhe pas përpjekjes së 25-të me radhë.

Shumica e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk e mbështetën krijimin e një Komisioni “ad-hoc” për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëm 51 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime.

"Nuk kemi kuorum, ndërpritet seanca, më 4 qershor në orën 11:00 shihemi përsëri", theksoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Partia e dytë më e madhe, Partia Demokratike të Kosovës (PDK), ka përsëritur se LVV-ja duhet ta ndërrojë kandidaten për kryetar të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që ta mbështesin votimin e kryeparlamentarit. Por, nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare filluan takimet konsultative me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us