Shqipëria ka regjistruar rritje në aktivitetin e transportit detar edhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, si në volumin e mallrave të përpunuara ashtu edhe në numrin e pasagjerëve që kanë udhëtuar përmes porteve detare të vendit.
Aktualisht, në vend operojnë katër porte për transportin e mallrave: porti i Durrësit, i Vlorës, i Shëngjinit dhe porti i Limjonit në Sarandë.
Porti i Durrësit vijon të mbetet nyja kryesore e trafikut tregtar detar, duke përpunuar 93,6 për qind të totalit të mallrave të transportuar në rrugën detare, ose 2063 mijë tonë mallra gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky port ka regjistruar një rritje prej 1,4 për qind në volumin e mallrave.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, struktura e mallrave të transportuara përmes detit përbëhet kryesisht nga: metale bazë dhe produkte metalike të fabrikuara – 17 për qind, loks dhe produkte të rafinuara të naftës – 16.9 për qind, mallra me përbërje minerale jometalike – 16.2 për qind, qymyr, linjit, naftë bruto dhe gaz natyror – 5 për qind.
Në këtë periudhë është regjistruar rritje edhe në qarkullimin i anijeve në portet shqiptare. Janë regjistruar gjithsej 276 anije, nga të cilat 253 të huaja dhe vetëm 23 vendase. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024, kjo përbën një rritje totale prej 10 për qind, ndërsa hyrjet e anijeve të huaja janë shtuar me 16.1 për qind.
Nga ana tjetër, edhe lëvizja e pasagjerëve ka qenë më intensive, si rrjedhojë e sezonit turistik. Qarkullimi i pasagjerëve është përqendruar në portet e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës, ndërsa porti i Shëngjinit nuk ka regjistruar aktivitet pasagjerësh.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 330.630 udhëtarë, ku porti i Sarandës ka mbajtur peshën kryesore me 54 për qind, pasuar nga Durrësi me 40.3 për qind dhe Vlora me 5,7 për qind.