Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi të shtunën se vendimi gjyqësor kundër presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, përbën vazhdimësinë e një “gjuetie politike shtrigash” në Bosnjë e Hercegovinë.
“Fatkeqësisht, në vend që të shfrytëzohej mundësia për qetësimin e situatës, jemi dëshmitarë të një gjuetie politike shtrigash në BiH. Milorad Dodik është zgjedhur president i Republikës Sërpska me vullnetin e popullit. Askush nuk ka të drejtë të shpërfillë atë vullnet”, shkroi Gjuriq në rrjetin social X.
Ai shtoi se është koha që të gjithë të kuptojnë se rruga drejt stabilitetit në Ballkan kalon përmes dialogut me liderët e zgjedhur, e jo përmes presioneve kundër tyre.
Gjuriq theksoi se Serbia do të qëndrojë gjithmonë pranë Republikës Sërpska, marrëveshjes së Dejtonit dhe të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit e tyre.
“Një rajon i qëndrueshëm dhe i begatë, i orientuar drejt bashkëpunimit, mund të arrihet vetëm përmes dialogut dhe respektit të ndërsjelltë,jo me metoda që nuk janë as demokratike e as të pranueshme”, përfundoi ai.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit e Bosnjë dhe Hercegovinës dje konfirmoi vendimin e shkallës së parë për dënimin e Milorad Dodikut me një vit burg dhe ndalim për gjashtë vjet të ushtrimit të funksioneve politike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në BeH, Christian Schmidt.
Megjithëse Dodik kishte deklaruar se nuk do të ankohej ndaj vendimit, pasi nuk e njeh Gjykatën, ekipi i tij ligjor gjithsesi ka paraqitur ankesë.