Ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Mali, deklaroi të hënën se Serbia është e interesuar për koncesionimin e dy aeroporteve ndërkombëtare për pasagjerë në Podgoricë dhe Tivat, për të cilat shteti i Malit të Zi ka disa vite që përpiqet t’i japë me koncesion.
Ai e bëri këtë deklaratë me rastin e shpalljes së koncesionit të aeroporteve në Mal të Zi, për të cilin procesi është në vazhdim prej disa vitesh, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
"Edhe pse presidenti Aleksandar Vuçiq dhe unë e kemi shprehur qartë synimin tonë para udhëheqësve aktualë të Malit të Zi disa herë, për fat të keq, nuk kemi ndier gatishmëri që të përfshihemi në këtë proces. Gjithashtu, kemi theksuar se jemi të gatshëm të investojmë edhe dyfishin e asaj që parashikohet në propozimin aktual të marrëveshjes së koncesionit", tha Mali.
Ai shtoi se është i bindur se Serbia mund të kontribuojë në zhvillimin e përshpejtuar të mëtejmë të aeroporteve malazeze dhe theksoi se Serbia sot ka përvojë të madhe, duke qenë se me ndihmën e koncesionarit të vet ka arritur të rrisë rëndësinë, reputacionin, profesionalizmin, kapacitetin e pritjes dhe në përgjithësi cilësinë e punës së aeroportit “Nikolla Tesla”.
"Ky është një aeroport që mund të pranojë deri në 15 milionë pasagjerë në vit, që është objektivi që do ta arrijmë deri në fund të periudhës së koncesionit. Një modernizim i tillë u nevojitet edhe aeroporteve në Tivat dhe Podgoricë. Serbia sot ka dijen, fuqinë financiare dhe mundësitë për ta bërë këtë. Nuk është një punë e lehtë, por është e domosdoshme dhe patjetër e nevojshme për Malin e Zi, i cili çdo vit pranon gjithnjë e më shumë pasagjerë. Besoj se përfshirja e Serbisë në këtë proces do të ishte me përfitim të ndërsjellë", deklaroi Mali.
Ai përfundoi duke thënë se procesi i zhvillimit të aeroportit në Beograd ka ndodhur paralelisht me zhvillimin e kompanisë kombëtare ajrore “Air Serbia”, e cila sot është transportuesi kombëtar më i suksesshëm në rajon dhe më gjerë, thuhet në njoftim.