Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë përditësoi mbi situatën e zjarreve në vend.
Falë reshjeve të shiut të rëna gjatë 24 orëve të fundit janë shuar të gjitha vatrat e zjarrit në pothuajse gjithë territorin.
Aktive mbetet vetëm një vatër zjarri në fshatin Spatharë, njësia administrative Vëndreshë, Bashkia Skrapar.
Zjarret raportohen të shuara në:
Fshatin Plan i Bardhë dhe malin e Allushit, Bashkia Klos, ku u dogjën rreth 120 hektarë dhe u përshkuan rreth 350 hektarë me shkurre, pisha dhe lis.
Fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, Bashkia Mat, me 20 hektarë të djegur dhe 499 hektarë të përshkuar me shkurre, pisha dhe ah.
Fshatin Gur i Bardhë, njësia administrative Xibër, Bashkia Klos.
Fshatin Gurë-Lurë, njësia administrative Lurë, Bashkia Dibër, ku u dogjën 55 hektarë dhe u përshkuan 580 hektarë me shkurre, pisha dhe ah.
Në vendin “Qafa e Buallit”, njësia administrative Bulqizë, pavarësisht ndërhyrjes me helikopter dhe punës së forcave në terren, u dogjën 22 hektarë dhe u përshkuan 35 hektarë me shkurre, pisha dhe kullota.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Korçë, si dhe lokalisht në qarqet e tjera.
Në lidhje me rrezikun nga zjarret, sot pritet nivel “i lartë” në qarkun Fier; “i moderuar” në qarqet Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër; dhe “i ulët” në qarqet Lezhë, Durrës dhe Tiranë.
Të gjitha strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë për çdo situatë.
Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të bashkëpunojnë duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë, duke raportuar menjëherë çdo vatër të dyshimtë dhe duke ndihmuar në parandalimin e përhapjes së zjarreve. “Siguria është përgjegjësi e përbashkët!”, përfundon njoftimi i Ministrisë.