Një vajzë 14-vjeçare vdiq dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, nga paniku dhe frika që përfshiu banorët gjatë një tërmeti me magnitudë 5,8 që goditi në mëngjesin e sotëm brigjet e Marmarisit në provincën jugperëndimore Muğla të Türkiyes, sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) të Türkiyes.
Afranur Gunlu, e cila pësoi një sulm paniku gjatë dridhjeve në rrethin Fethiye, u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi të shpëtohej pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, konfirmoi Guvernatori i Muğlas, İdris Akbıyık.
Tërmeti, i cili ndodhi në një thellësi prej 67.91 kilometrash dhe 10,43 kilometrash larg brigjeve të Marmaris në Detin Mesdhe, nuk shkaktoi dëme të mëdha strukturore, por frika bëri që shumë të hidheshin nga lartësitë ose të iknin nga ndërtesat.
Akbıyık tha se 69 persona u prekën nga tërmeti, me lëndime kryesisht si pasojë e përpjekjeve për t'u larguar.
"Gjithsej 55 qytetarë janë dërguar në spitale, 10 me ambulancë dhe 45 në këmbë. Katërmbëdhjetë qytetarë refuzuan të transferoheshin dhe u trajtuan në vend. Një pacient u shtrua në spital, 46 të tjerë po marrin trajtim në dhomën e urgjencës dhe tetë janë larguar", tha ai.
Vlerësimet fillestare konstatuan vetëm dëme të vogla në dy ndërtesa në Marmaris, duke përfshirë çarje në mure, por nuk është raportuar ndonjë dëmtim i konsiderueshëm.