Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se fëmijët asnjëherë nuk i fillojnë luftërat, por janë pikërisht ata që vuajnë më shumë dhe mbajnë pasojat më të rënda të çdo konflikti.
“Katastrofa humanitare në Gazë dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm, veçanërisht të fëmijëve, janë prekëse dhe duhet të ndalen. Çdo fëmijë, çdo familje, pa marrë parasysh kombësinë apo fenë, janë të çmuar dhe duhet të mbrohen,” shkroi Osmani në rrjetin X.
Ajo theksoi mbështetjen e plotë për përpjekjet për arritjen e një armëpushimi, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari dhe Egjipti, duke përfshirë edhe iniciativat për lirimin urgjent të të gjithë pengjeve.
“Në ndërkohë, prioritet duhet të jetë sigurimi i qasjes në ushqim, ujë dhe barna për më të cenueshmit, në mënyrë që të lehtësohen vuajtjet e të pafajshmëve në luftë,” theksoi presidentja e Kosovës.
Ajo shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për të arritur një të ardhme të drejtë, të qëndrueshme dhe paqësore, në të cilën izraelitët dhe palestinezët do të jetojnë me dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë, me përkushtim të përbashkët për mbrojtjen e jetës njerëzore.
“Derisa të realizohet një e ardhme e tillë, duhet të bëjmë gjithçka për ta parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve të pafajshme dhe për të lehtësuar vuajtjet e të gjithë njerëzve,” përfundoi Osmani.