“Ne, ministrat e Punëve të Jashtme të Andorrës, Australisë, Kanadasë, Finlandës, Francës, Islandës, Irlandës, Luksemburgut, Maltës, Zelandës së Re, Norvegjisë, Portugalisë, San Marinos, Sllovenisë dhe Spanjës, përsërisim angazhimin tonë të palëkundur për vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete,” thuhet në deklaratën e publikuar nga Ministria e Jashtme franceze.
Sipas deklaratës, nënshkruesit theksojnë se Izraeli dhe Palestina duhet të bashkëjetojnë si dy shtete demokratike, në paqe dhe brenda kufijve të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara.
Ata gjithashtu vunë në dukje rëndësinë e bashkimit të Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor nën administrimin e Autoritetit Palestinez, si dhe rolin jetik të OKB-së dhe agjencive të saj në lehtësimin e ndihmës humanitare në Gaza.
“Ne e kemi njohur, kemi shprehur ose jemi të gatshëm të shqyrtojmë njohjen e Shtetit të Palestinës si një hap thelbësor drejt zgjidhjes me dy shtete. I ftojmë të gjitha vendet që nuk e kanë bërë këtë, të bashkohen me këtë thirrje”- thuhet në deklaratë.
“Në të njëjtën kohë, nënshkruesit inkurajuan shtetet të forcojnë marrëdhëniet me Izraelin dhe të angazhohen në diskutime për integrimin rajonal të Shtetit të Izraelit.
Deklarata shpreh gjithashtu vendosmërinë për të ndërtuar një plan për “ditën pas” në Gaza, që përfshin rindërtimin e enklavës, çarmatimin e Hamasit dhe përjashtimin e tij nga çdo strukturë qeverisëse palestineze.
Ndërkohë, Izraeli vazhdon të refuzojë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim. Që nga tetori 2023, mbi 60 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet masive kanë shkaktuar një katastrofë humanitare, duke lënë popullsinë pa ushqim, ujë dhe ndihmë mjekësore.
Në nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJNP) lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Po ashtu, Izraeli përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për veprimet e tij në enklavën palestineze.