POLITIKË
2 minuta leximi
Shekerinska: NATO-ja nuk do të lejojë që paqja e fituar me vështirësi në BeH të rrezikohet
Shekerinska tha se angazhimi i NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor është i gjatë dhe kujtoi se javën e kaluar ministrat e jashtëm të NATO-s riafirmuan angazhimin e palëkundur ndaj stabilitetit të rajonit dhe për ruajtjen e sigurisë në Bosnjë e H
Shekerinska: NATO-ja nuk do të lejojë që paqja e fituar me vështirësi në BeH të rrezikohet
Shekerinska: NATO-ja nuk do të lejojë që paqja e fituar me vështirësi në BeH të rrezikohet / AA
15 Prill 2025

Zv/sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, ka deklaruar se aleanca nuk do të pranojë asnjë lloj vakuumi të sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë dhe që të rrezikohet "paqja e fituar me vështirësi".

Para takimit me përfaqësuesit e Presidencës së BeH-së në Bruksel, Shekerinska tha se angazhimi i NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor është i gjatë dhe kujtoi se javën e kaluar ministrat e jashtëm të NATO-s riafirmuan angazhimin e palëkundur ndaj stabilitetit të rajonit dhe për ruajtjen e sigurisë në BeH.

"Ne vazhdojmë të kemi shqetësime si rezultat i zhvillimeve të fundit në Bosnjë e Hercegovinë. Fillimisht, NATO-ja mbështet fuqimisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Marrëveshja e Paqes së Dejtonit duhet të respektohet. Është një gurthemel i stabilitetit dhe arkitekturës shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës", tha Shekerinska.

Zv/shefja e NATO-s gjithashtu theksoi se duhet të respektohet edhe rendi kushtetues në BeH.

"Ne nuk do të pranojmë asnjë lloj vakuumi të sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë dhe nuk do të lejojmë që paqja e fituar me vështirësi të rrezikohet. NATO-ja mbetet e lidhur ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë për ta bërë këtë. Nga një Bosnjë e Hercegovinë të qëndrueshme dhe të sigurt do të përfitojë të gjithë dhe është gjithashtu interesi ynë i sigurisë", u shpreh ajo.

Shekerinska tha se Bosnjë e Hercegovina është partner i vlefshëm dhe shtoi se NATO-ja është e gatshme ta konsolidojë më tej bashkëpunimin përmes zbatimit të programeve të aleancës në vend.

"Të gjithë duam ta shohim Bosnjë e Hercegovinën të përparojë në rrugën e saj evropiane dhe euroatlantike. Shumë është arritur tashmë në këtë drejtim dhe ne shpresojmë dhe presim, së bashku me partnerët tanë në Bosnjë e Hercegovinë, të ndërtojmë mbi këtë themel për të mirën e të gjithëve që jetojnë atje", tha ajo.

Sot, Shekerinska takon kreun dhe anëtarët e Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq, Zheljko Komshiq dhe Denis Beqiroviq, siç tha ajo, për të diskutuar mbi situatën në BeH, por edhe për "partneritetin tonë të përbashkët".

Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us