TÜRKİYE
3 minuta leximi
Ministri turk i financave: Inflacioni në Türkiye do të vazhdojë të bjerë
"Ne jemi të vendosur për të zbatuar programin e dezinflacionit. Ka një vullnet politik të fortë dhe një program të fuqishëm," tha Mehmet Şimşek gjatë një Samiti Ekonomik Ndërkombëtar në Sakarya, përmes lidhjes së drejtpërdrejtë.
Ministri turk i financave: Inflacioni në Türkiye do të vazhdojë të bjerë
Ministri turk i financave: Inflacioni në Türkiye do të vazhdojë të bjerë / TRT Balkan
18 Prill 2025


Inflacioni në Türkiye ka qenë në rënie për 10 muaj rresht dhe kjo pritet të vazhdojë, deklaroi ministri turk i financave të premten, duke theksuar se vullneti dhe programi i vendit për ta luftuar inflacionin janë të fuqishëm dhe të qëndrueshëm.

"Ne jemi të vendosur për ta zbatuar programin e dezinflacionit. Ekziston një vullnet politik shumë i fortë dhe ne kemi një program shumë të fuqishëm," tha Mehmet Şimşek gjatë një Samiti Ekonomik Ndërkombëtar në provincën Sakarya, ku mori pjesë përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë.

Edhe pse bota përballet me probleme serioze strukturore, Türkiye ka një pozicion të favorshëm për t’u përballur me to, tha ai.

"Ne duam t’i kthejmë avantazhet tona në përfitime të përhershme. Për këtë arsye, ne kemi qenë të vendosur në zbatimin e programit tonë të stabilitetit makroekonomik dhe reformave që nga qershori 2023,” shpjegoi Şimşek.

“Qëllimi ynë është të ulim përherë inflacionin në shifra njëshifrore, të krijojmë hapësirë buxhetore për reformat duke forcuar disiplinën fiskale, t'i minimizojmë dobësitë makro-financiare duke ulur deficitin e llogarisë korente dhe në fund ta realizojmë transformimin strukturor duke rritur produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe rritjen potenciale.”

‘Türkiye më e qëndrueshme ndaj goditjeve të jashtme’

Şimşek gjithashtu iu referua tarifave të larta që kanë tronditur tregjet botërore, duke thënë: “Për shkak të masave proteksioniste që janë intensifikuar kohët e fundit, pasiguria në politikat ekonomike globale është rritur më shumë se kurrë më parë. Në fakt, proteksionizmi nuk është një prirje e re. Masat kufizuese në tregti janë rritur gjatë 15 viteve të fundit. Që nga viti i kaluar, kufizimet tregtare janë rritur 11 herë krahasuar me periudhën para krizës financiare globale të vitit 2008. Ky zhvillim është një nga faktorët kryesorë që e tërheqin poshtë rritjen globale.”

Duke paralajmëruar se, nëse luftërat tregtare vazhdojnë në këtë mënyrë, rritja globale ka gjasa të bjerë nën 3 për qind, ai tha se arsyeja kryesore për rritjen e proteksionizmit është konkurrenca gjeostrategjike midis ShBA-së dhe Kinës.

Şimşek tha se në 20 vitet e fundit, ekonomitë e zhvilluara si ShBA-ja, BE-ja dhe Japonia kanë humbur pjesën e tyre globale në industrinë prodhuese ndaj Kinës.

“Türkiye është më e qëndrueshme në këtë mjedis në krahasim me vendet e ngjashme, për dy arsye. Së pari, varësia jonë nga eksportet është relativisht e ulët. Kërkesa e brendshme është nxitësi kryesor i rritjes sonë. Pjesa e eksporteve të mallrave në të ardhurat tona kombëtare është rreth 20 për qind. Prandaj, ndikimi në Türkiye mund të jetë relativisht i kufizuar në një rend botëror që po izolohet. Së dyti, ne bëjmë pjesën më të madhe të tregtisë sonë me vende të afërta dhe mike. Diku 68 për qind e eksporteve tona shkojnë në vende me të cilat kemi marrëveshje të tregtisë së lirë. BE-ja, partneri ynë më i madh tregtar, përkrah një sistem tregtar shumëpalësh dhe të bazuar në rregulla, ashtu si edhe ne. Kjo na bën më të qëndrueshëm ndaj goditjeve të jashtme,” tha ai.

Şimşek gjithashtu theksoi se ekzistojnë edhe efekte të tërthorta të këtij procesi, por tha se është shumë herët për t’i matur ato, si dhe më i rëndësishmi është se si Kina do të përgjigjet ndaj tarifave të larta.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us