Aeroporti i Istanbulit në Türkiye, i cili ishte aeroporti i dytë më i ngarkuar në Evropë vitin e kaluar, nisi të enjten operacionet e njëkohshme me tre pista.
Me këtë infrastrukturë, Aeroporti i Istanbulit u kthye në të parin në Evropë që operon me tre pista dhe i dyti në botë pas ShBA-së.
Duke folur në ceremoninë e fillimit të fluturimeve me tre pista në Aeroportin e Istanbulit, Ministri Turk i Transportit, Abdulkadir Uraloğlu, tha se duke filluar nga sot, tre avionë do të mund të ulen ose të nisen njëkohësisht në pista plotësisht të pavarura.
“Kjo nuk është vetëm një risi për Türkiyen, por edhe për aviacionin evropian, dhe një moment kyç për aviacionin global. Pas ShBA-së, Türkiye është i vetmi vend që ka zbatuar këtë praktikë’’, theksoi ai.
Uraloğlu vuri në dukje se Aeroporti i Istanbulit, një projekt vizionar për Türkiyen, ka qenë një vitrinë globale që nga hapja e tij më 29 tetor 2018.
“Me një kapacitet vjetor prej 90 milionë pasagjerësh, Aeroporti i Istanbulit e ka vendosur Türkiyen në ballë të aviacionit global. Kjo strukturë moderne, që mirëpret miliona pasagjerë, ka promovuar fuqinë ekonomike dhe kulturore të Türkiyes në mbarë botën dhe e ka ndihmuar të bëhet një lojtar udhëheqës në aviacion.
Aeroporti priti mbi 52 milionë pasagjerë në vitin 2019, vitin e parë të funksionimit, dhe i shërbeu mbi 76 milionë pasagjerë në vitin 2023. Në kategorinë e Aeroporteve të Mëdha, të cilat shërbejnë më shumë se 40 milionë pasagjerë në vit, aeroporti priti 80,1 milionë pasagjerë, duke u renditur i dyti në Evropë dhe i shtati në botë.”
Uraloğlu shtoi se me këtë sistem, pozita udhëheqëse e Aeroportit të Istanbulit në Evropë do të forcohet edhe më shumë, dhe Türkiye do të tregojë sërish udhëheqjen e saj globale në fushën e aviacionit.
Aeroporti i Istanbulit ka pritur rreth 80 milionë pasagjerë në vitin 2024, duke e bërë atë aeroportin më të madh dhe të dytin më të ngarkuar në Evropë, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Aeroporteve Shtetërore (DHMI).
Gjithashtu, u bë qendra më e ngarkuar e transportit ajror të mallrave në Evropë vitin e kaluar, sipas Raportit Vjetor të Trafikut 2024 të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI) Evropë.