Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pasi një kabinë teleferiku u rrëzua në tokë pranë Napolit, në jug të Italisë, raportuan të enjten mediat italiane.
Kabina e teleferikut u rrëzua për shkak të kushteve ekstreme të motit në malin Faito, pranë Sorrentos, thuhet në raportin e agjencisë kombëtare të lajmeve ANSA.
Ekipet e shpëtimit kanë njoftuar se një person është plagosur rëndë dhe është dërguar në spital.
Transmetuesi publik RAI publikoi pamjet që tregojnë 16 pasagjerë të tjerë duke u shpëtuar nga një teleferik tjetër që kishte ngecur në ajër. Evakuimi u krye në një operacion kompleks, pasagjerët u shpëtuan një nga një me ndihmën e rripave të sigurimit.
Vincenzo De Luca, presidenti i rajonit të Kampanias, deklaroi për RAI se operacionet e shpëtimit janë vështirësuar për shkak të mjegullës dhe erës së fortë.