Ish-profesori universitar Avni Skeja, ka dhuruar afër pesë mijë libra për Universitetin e Prishtinës (UP).
Në një ceremoni që u zhvillua enkas për këtë dhurim për universitetin, profesori Skeja tha se pas më shumë se 45 vjetësh të kaluara në këtë universitet si pedagog, kthehet për të dorëzuar këtë donacion.
"Është nder i veçantë që sot pas më shumë se 45 vitesh të kaluara në këtë universitet si pedagog, të rikthehem për të dorëzuar një donacion me rreth pesë mijë libra, për bibliotekën e Universitetit të Prishtinës, përfshirë Fakultetin Ekonomik, Juridik, ai i Gjuhës Angleze, Psikologjisë, Shkencave Kompjuterike dhe Shkencave Politike", theksoi Skeja.
Ai tha se këto libra përfaqësojnë një koleksion të çmuar, të ndërtuar me vite dhe janë rezultat i përkushtimit të tij ndaj dijes dhe kontributeve të donatorëve me të cilat ai ka punuar gjatë karrierës.
Skeja tha se një pjesë e konsiderueshme e librave, rreth 20 për qind, janë në gjuhën angleze dhe janë menduar të jenë burim i vlefshëm jo vetëm për studentë por edhe për stafin akademik.
"Çdo kontribut i dhënë në arsim, është një investim në të ardhmen kolektive. Nëse dëshirojmë të shohim vendin tonë duke përparuar, atëherë secili nga ne duhet të japë atë që mundet, qoftë një orë mësimi më shumë, një ide, një libër, apo edhe një bashkëbisedim frymëzues me një student të ri", theksoi Skeja.
Ish-profesori Skeja u vlerësua lartë për punën e tij disa dekadashe në arsim dhe shkencë nëpërmjet punës së tij në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës.
Gjatë ceremonisë, rektori i UP-së, Arben Hajrullahu e nderoi profesorin me mirënjohje për kontributin e tij shumëvjeçar.