Japonia ka miratuar sot një ligj për të lejuar "gjuajtje urgjente të kafshëve të rrezikshme" nga gjuetarët nëse shkelin në zonat e populluara, tha media lokale.
Ndryshimi, që pritet të zbatohet nga vjeshta kur arinjtë të bëhen aktivë, erdhi pas një numri në rritje të sulmeve të arinjve në vend, raportoi "Kyodo News".
Ligji përcakton si kafshë të rrezikshme arinjtë e murrmë, arinjtë e zinj aziatikë dhe derrat e egër.
Me këtë ndryshim ligjor, administratat lokale do të jenë në gjendje t'u kërkojnë gjuetarëve ose autoriteteve relevante t'i qëllojnë arinjtë nëse ata futen në zona banimi ose nëse është e nevojshme për të mbrojtur ndonjë njeri nga dëmtimi i ariut.
Megjithatë, ligji parashikon që duhet të shterohen disa opsione përpara se të kalohet në gjuajtje, konkretisht nëse autoritetet nuk janë në gjendje ta kapin shpejt ariun pa përdorur armë, dhe që njerëzit e tjerë të jenë jashtë rrezes së qitjes.
Krerëve të komunave u jepet gjithashtu autoriteti për ta kufizuar trafikun dhe për të lëshuar urdhra evakuimi për sigurinë e qytetarëve në rast të të shtënave.
Një rekord prej 219 viktimash, përfshirë 6 me fatalitet, janë raportuar nga sulmet e arinjve në gjithë vendin gjatë vitit fiskal 2023 deri në mars 2024, tha media, duke cituar Ministrinë e Mjedisit.